Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj kërkesave për dorëheqjen e tij nga disa zyrtarë të partisë, duke i cilësuar ato si pjesë e përpjekjeve për të dëmtuar dhe përçarë Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku falënderoi kryetarët e degëve të Pejës dhe Lipjanit për kërkesat e tyre publike për dorëheqje, por tha se do të kishte qenë më korrekte që këto qëndrime t’i shprehnin drejtpërdrejt dhe jo përmes mediave.
Ai pranoi se rezultati zgjedhor në këto dy degë nuk ka qenë i kënaqshëm, por theksoi se fakti që LDK-ja ka dalë e treta në komuna ku ushtron pushtetin lokal tregon, sipas tij, për ekzistencën e sabotimeve të brendshme dhe projekteve që nuk kanë lidhje me interesat e partisë.
“Si nuk u ngopën kurrë?!
I falënderoj për sugjerimet e kërkesat e koordinuara te dy Kryetarëve të Degëve, të Pejës e Lipjanit, të dhëna nëpërmjet mediave për dorëheqjen time. Do të kishte qenë më korrekte që këtë ta bënin ballë për ballë. Fundja kemi bashkëpunuar gjatë.
Pajtohem që rezultati në këto dy degë nuk është i kënaqshëm. Në komuna ku kemi qeverisje, të dalim të tretët tregon vetëm dozën e një sabotimi të thellë dhe të një projekti që nuk është i LDK-së.
Unë çështjen e dorëheqjes sime e kam trajtuar në Kuvendin e 31 janarit. Edhe përballë këtyre dy kryetarëve. Anëtarësia jonë, për mua, ka folur qartë. Por, për performancën e dobët në këto dy degë, rezultatin më të ulët ndër vite, pres dorëheqjet morale të dy kryetarëve në fjalë. I pranoj menjëherë.
E siguroj anëtarësinë e gjerë të LDK-së se nuk do të lejojmë, që projektet e ndarjeve të LDK-së nga sabotues të qëllimshëm të marrin formë. Ato dështuan më 31 janar; dështuan në zgjedhje, do te dështojnë edhe tash. Që nga atëherë, me te gjitha pengesat e dyshimet, në një kohë aq të shkurtë, ne megjithatë u rritëm. Sot, në asnjë rrethanë, me asnjë çmim, nuk do te lejojme që vullneti i shumicës derrmuese të LDK-së të tjetërësohet ne projekte që synojnë ndarjen dhe më pas shuarjen e LDK-së.
Fundja, LDK nuk është konfederatë e interesave lokale. As platforme e karrierave individuale. LDK mbetet parti nacionale. E vetes. E askujt tjetër; sidmos e asnje partie tjetër.
Ftoj anëtarësinë shumicë që, në këto kohë të trazuara, të ruajë qetësinë. Do ta kapërcejmë secilën sfidë siç dimë ne.
Ndjej vetem keqardhje, që në momentet me të rëndësishme të LDK-së e vendit, dëmtimi ynë nga brenda mbetet qëllim. Si nuk u ngopën kurrë?”, ka shkruar Abdixhiku.