Komisioni Qendror i Zjedhjeve ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve me 9 vota pro. Pas certifikimit, tani rrjedhe afati ku Kuvendi duhet të mblidhet brenda 30 ditësh për seancën konstituive
Lëvizja Vetëvendosje siguroi 53 ulëse në Kuvendin e Kosovës me 47.13 për qind të votave, duke u renditur si subjekti i parë politik . Pas saj u rendit Partia Demokratike e Kosovës me 22 mandate dhe 19.44 për qind të votave. Lidhja Demokratike e Kosovës mori 18 ulëse me 16.69 për qind të votave, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës siguroi shtatë mandate me 6.74 për qind të votave. Rezultatet i referohen zgjedhjeve të 7 qershorit.
Kushtetuta përcakton se pas certifikimit të rezultateve, seanca konstituive e Kuvendit duhet të mbahet brenda 30 ditësh. Në këtë seancë parashihet zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve, pas së cilës mund të nisë procedura për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.
Në mbledhjen e mbajtur sot KQZ-ja ka njoftuar se dy kandidatë nga Aleanca kanë hequr dorë nga posti i deputetit dhe janë zëvendësuar nga dy të tjerë.
Daut Haradinaj dhe Ardian Gjini kanë hequr dorë nga mandatet e deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Në vend të tyre, mandatet do t’i marrin Bekë Berisha dhe Burim Ramadani. Vendimi për dorëheqjen nga mandati vjen pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, ndërsa zëvendësimi bëhet me kandidatët e radhës nga lista e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Sot pritet certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve
