Nga tanket te altari: Vuçiqi dhe Kisha Serbe vazhdojnë ta përdorin Vidovdanin si armë propagande kundër Kosovës

Aleksandër Vuçiqi dhe Kisha Serbe po vazhdojnë ta mbajnë Vidovdanin si makinë propagande kundër Kosovës. Ajo që u pa dje dhe sot (27 dhe 28 qershor) nuk ishte kujtesë historike, por teologji politike e paketuar si patriotizëm: njëra anë me miting, flamuj dhe armë; ana tjetër me liturgji, “amanet” dhe mitin e “popullit të kryqëzuar”.

Vuçiqi dje e përdori skenën për ta paraqitur Kosovën si dogmë kushtetuese, për ta lidhur sovranitetin me demonstrimin ushtarak dhe për ta shitur forcën si garanci identitare. Një ditë pas, sot nga Graçanica, mitropoliti i Malit të Zi dhe Bregdetit, Joanikije e vazhdoi të njëjtën vijë, duke e shndërruar Graçanicën nga hapësirë lutjeje në tribunë të nacionalizmit sakral. Kjo është mitopoetikë shtetërore ku historia nuk lexohet, por fabrikon bindje; feja nuk udhëzon, por legjitimon pretendim territorial.

Në thelb, Beogradi po prodhon një simulakër të realitetit ku Serbia paraqitet si viktimë e përhershme, kurse Kosova si “zemër e rrëmbyer”, ndërsa çdo kritikë ndaj kësaj skeme përshkruhet si sulm ndaj kombit serb. Kjo ushqehet nga një pasiguri ontologjike e kultivuar me vetëdije, ku pushteti mbijeton duke e mbajtur shoqërinë të varur nga frika, miti dhe mobilizimi emocional.

Por, pjesa më cinike doli kur sot, pra në të njëjtën ditë që shteti serb ekspozonte fuqinë ushtarake në “Pasuljanske Livade”, Natasha Kandiq riktheu publikisht dyshimin për një varr masiv në atë zonë me trupa të shqiptarëve të Kosovës.

Pikërisht këtu propaganda përplaset me të vërtetën e varrosur: një regjim që flet për nder, ushtri dhe sovranitet, ndërsa mbi të njëjtën tokë rëndon hija e trupave të fshehur. Kjo është nekropolitikë e mbuluar me ritual; është biopolitikë e identitetit serb e ndërtuar mbi mohimin e viktimës shqiptare. Prandaj, problemi nuk është vetëm çfarë thotë Beogradi për Kosovën, por si shteti dhe Kisha Serbe e përdorin Vidovdanin për ta riprodhuar gënjeshtrën si rend politik.

Instituti për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS” vitin e kaluar kishte organizuar një forum me temë: Vidovdani midis Mitit dhe Gjeopolitikës: Roli i tij në Projektin Kombëtar Serb, ku kam folur rreth Instrumentalizimit politik të Vidovdanit nga Sllobodan Millosheviqi deri tek Aleksandër Vuçiqi. Edhe pas një viti tema mbetet aktuale pasi që logjika e politikës së Beogradit dhe Kishës Serbe mbetet e njëjtë në raport me Kosovën.

Të fundit nga rubrika