Këshilli Prokurorial i Kosovës ka mirëpritur dekretimin e Zejnullah Gashit në detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, duke e cilësuar këtë si përmbyllje të procedurës kushtetuese dhe ligjore për emërimin e tij në krye të sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës.
KPK-ja, nëpërmjet një postimi, bëri të ditur se dekretimi nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, pason propozimin e bërë nga vetë Këshilli, i cili e kishte nominuar Gashin për këtë funksion pas përfundimit të procedurës së vlerësimit dhe votimit, në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore, njofton Dukagjini.
Sipas KPK-së, Gashi do të ushtrojë detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit për një mandat shtatëvjeçar, gjatë të cilit do të udhëheqë institucionin e Prokurorit të Shtetit me përgjegjësi për forcimin e sundimit të ligjit, rritjen e efikasitetit dhe profesionalizmit të sistemit prokurorial, si dhe garantimin e ushtrimit të pavarur, të paanshëm dhe të përgjegjshëm të funksionit prokurorial.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës i uron z. Zejnullah Gashi suksese në ushtrimin e mandatit të tij si Kryeprokuror i Shtetit, duke shprehur besimin se, përmes bashkëpunimit institucional dhe angazhimit profesional, do të vazhdojë fuqizimi i integritetit, transparencës dhe besimit të qytetarëve në sistemin prokurorial”, thuhet në njoftim.