Shumica e fëmijëve në botë nuk konsumojnë mjaftueshëm fruta dhe perime

Shumica e fëmijëve dhe adoleshentëve në botë nuk konsumojnë sasinë e rekomanduar të frutave, perimeve, bishtajoreve, arrave dhe farave, sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore “BMJ Global Health”.

Hulumtimi ka analizuar të dhëna nga më shumë se 1 mijë e 200 anketa ushqimore në 185 vende të botës, duke shqyrtuar mënyrën e ushqyerjes së fëmijëve dhe të rinjve. Studiuesit kanë konstatuar se, ndonëse ka pasur disa përmirësime ndër vite, konsumi i ushqimeve bimore të shëndetshme mbetet ende nën nivelet e rekomanduara.

Ekspertët theksojnë se frutat dhe perimet janë të domosdoshme për rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve, pasi përmbajnë vitamina, minerale dhe fibra që ndihmojnë në funksionimin e mirë të organizmit.

Mjekja amerikane Leana Wen ka thënë se është normale që fëmijët të jenë të përzgjedhur në ushqim, por ka këshilluar prindërit të mos heqin dorë nga ofrimi i ushqimeve të shëndetshme.

“Mos e hiqni dorë nga një ushqim vetëm sepse fëmija e refuzoi një herë. Ofroni vazhdimisht pemë dhe perime, pa e detyruar. Sa më shumë t’i ekspozohen, aq më shumë rriten gjasat që t’i pranojnë”, ka deklaruar Wen.

Ajo ka rekomanduar gjithashtu që fëmijët të përfshihen në blerjen dhe përgatitjen e ushqimit, pasi kjo mund të rrisë interesimin e tyre për të provuar ushqime të reja.

Sipas ekspertëve, krijimi i zakoneve të shëndetshme ushqimore që në fëmijëri mund të ndikojë pozitivisht në shëndetin afatgjatë dhe të ulë rrezikun për sëmundje kronike si diabeti dhe sëmundjet e zemrës.

Ndërkohë, për shqetësimet rreth sigurisë së produkteve të freskëta, pas hetimeve në SHBA për raste të infeksionit Cyclospora, Wen ka theksuar se kjo nuk duhet t’i dekurajojë familjet nga konsumimi i frutave dhe perimeve.

“Përfitimet shëndetësore nga konsumimi i pemëve dhe perimeve janë shumë më të mëdha se rreziku nga raste të rralla të infeksioneve ushqimore”, ka thënë ajo.

Ekspertja ka këshilluar që produktet e freskëta të lahen mirë para konsumimit, të shmanget kontakti me mishin e papërpunuar dhe të ndiqen njoftimet zyrtare për tërheqjen e produkteve nga tregu.

Të fundit nga rubrika