Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shfaqur një gatishmëri më të madhe për të bashkëpunuar në tejkalimin e krizës politike, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK), sipas tij, ka mbetur në qëndrimet e mëparshme.
Duke folur pas takimit me ministrin francez për Evropën, Benjamin Haddad, Konjufca tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u kishte dërguar ftesë për takim të gjitha partive opozitare, ndërsa këtë herë kishte vërejtur një qasje ndryshe nga ajo e muajve të kaluar.
“Kryeministri Kurti menjëherë iu drejtua me një letër të gjitha partive që ishin deri dje në opozitë, edhe PDK-së, edhe LDK-së, edhe AAK-së. Edhe ata u përgjigjën më shpejt se herëve të tjera. U pa se këtë herë kishte një interesim të një natyre tjetër nga ai që pamë në muajt e kaluar dhe prej zgjedhjeve të dhjetorit. Duket se vullneti i partive, kësaj radhe, për të mos shkuar në zgjedhje është më i sinqertë”, tha Konjufca.
Ai bëri të ditur se, si rezultat i kësaj qasjeje, u zhvilluan takime me PDK-në dhe LDK-në, ndërsa AAK-ja refuzoi ftesën.
“Dhe pikërisht për këtë arsye ndodhi edhe takimi me dy partitë, me PDK-në dhe LDK-në. Për disa arsye që i shpjegoi AAK-ja, ajo nuk e pranoi takimin, por i dha arsyet e veta dhe tregoi në çfarë kushtesh do të bashkëpunonte”, u shpreh ai.
Sipas Konjufcës, bisedimet me PDK-në nuk sollën ndryshim në qëndrimet e saj, ndërsa te LDK-ja u pa një gatishmëri më e madhe për të gjetur një zgjidhje politike.
“Sa i përket takimeve që u zhvilluan me PDK-në dhe LDK-në, u pa qartë se PDK-ja vazhdon të qëndrojë në pozicionet që i kemi parë edhe më herët. Ato qëndrime u shprehën edhe në takimin me kryeministrin Kurti. Kurse, sa i përket Lidhjes Demokratike të Kosovës, përshtypja jonë është se aty, përkundër herëve të kaluara, kësaj radhe ka vullnet më të madh për ta tejkaluar këtë moment në të cilin ndodhet Kosova. Ka një gatishmëri më të lartë për bashkëpunim nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe unë mendoj se opsionet që dalin në tavolinë për arritjen e një marrëveshjeje janë në përpjesëtim me vullnetin. Sa më i madh të jetë vullneti politik, sa më shumë gatishmëri për të bashkëpunuar të ketë, aq më shumë rritet numri i opsioneve për të gjetur zgjidhje, për pozicionet e ndryshme dhe për përgjegjësitë e ndryshme se si do të ndahen ato”, deklaroi ai.
Konjufca tha se pas zgjedhjeve të dhjetorit vendi kishte hyrë në një bllokadë të plotë politike, ndërsa, sipas tij, synimi i opozitës ishte që vendi të shkonte sërish në zgjedhje.
“Kurse atë që e kemi parë, sidomos prej zgjedhjeve të dhjetorit, ka qenë një bllokadë totale. Unë e kam thënë edhe atëherë se qëllimi pas dhjetorit ka qenë që gjithsesi të shkohej në zgjedhje. Edhe partitë opozitare nuk shikonin gjë tjetër. Mendonin se përmes metodave artificiale mund të prodhonin një rezultat tjetër për Vetëvendosjen. Por ai ndryshim doli shumë i vogël”, tha ai.
Ai shtoi se tashmë mbetet të shihet se si do të zhvillohen proceset e brendshme në LDK, duke theksuar se kjo parti ka autonomi të plotë për të marrë vendimet e saj.
“Prandaj, tash çka mbetet të shihet janë zhvillimet e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Natyrisht, Lidhja Demokratike e Kosovës e ka autonominë dhe pavarësinë e plotë për të vendosur për çështjet e saj të brendshme. Ne nuk jemi këtu as për t’i komentuar ato, as për të këshilluar gjë, sepse Lidhja Demokratike është një parti që ekziston më së gjati në Kosovë dhe besoj se ata dinë t’i rregullojnë punët e veta”, deklaroi Konjufca.
Në fund, ai tha se takimi mes kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka krijuar një atmosferë më pozitive për dialog.
“Por, sa i përket bashkëpunimit me ne, më është dukur se pas takimit të kryeministrit Kurti në rezidencën Osmani me zotin Abdixhiku, kryetarin e LDK-së, kësaj radhe ka pasur një natyrë tjetër diskutimi, ndryshe nga herët e kaluara. Kjo na ka bërë më optimistë se një zgjidhje mund të gjendet së shpejti”, përfundoi Konjufca.