Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me gjobë prej 4200 eurosh I.K. nga Gjakova, pasie ka shpallur fajtor për veprën penale që lidhet me nxitjen e urrejtjes dhe mosdurimit ndaj grupeve fetare.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati Azdren Bytyqi, i cili njoftoi se sot ka pranuar aktgjykimin e gjykatës.
“Sot e pranuam aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, përmes të cilit është dënuar me gjobë prej 4,200 eurosh Ilirijan Krasniqi nga Gjakova”, ka deklaruar Bytyqi.
Sipas tij, i dënuari është shpallur fajtor pasi kishte publikuar një koment me përmbajtje fyese dhe kërcënuese në një postim të Fation Durakut.
Bytyqi bëri të ditur se Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj I.K., ndërsa gjatë shqyrtimit gjyqësor ai e pranoi fajësinë dhe kërkoi falje.
“I lartcekuri e ka pranuar fajësinë, ka kërkuar falje, ndërsa gjykata e ka shpallur fajtor dhee ka dënuar”, ka thënë ai.
Avokati Bytyqi shtoi se pret që institucionet e drejtësisë të veprojnë edhe në raste të tjera të ngjashme.
RTV Dukagjini lidhut me këtë çështje disa herë kishte kërkuar informacione nga Gjykata Themelore e Prishtinës përmes pyetjeve të dërguara por, deri në botimin e këtij lajmi nuk ka pranuar përgjigje nga kjo gjykatë.

