Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar në Portin e Durrësit, ku një 62-vjeçar nga Kosova ka humbur jetën pas goditjes nga një kamion.
Sipas njoftimit të Policisë së Shqipërisë, ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së sotme, në sheshin para skanerit të Portit të Durrësit.
Dyshohet se shtetasi N. M., 49 vjeç, banues në Berat, duke drejtuar një kamion, ka goditur aksidentalisht shtetasin N. Sh., 62 vjeç, banues në Kosovë, i cili ishte drejtues i një kamioni tjetër.
Sipas policisë, 62-vjeçari po lëvizte në këmbë për të dorëzuar dokumentacionin e kamionit të tij për t’u futur në skaner, kur u godit nga kamioni dhe si pasojë e plagëve të marra, ai humbi jetën.
Drejtuesi i kamionit, 49-vjeçari N. M., është shoqëruar në Komisariat, ndërsa po kryhen veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të ngjarjes./A2CNN