Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti, si dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë vizituar të martën fshatin Kalludër e Vogël në Zubin Potok, ku po zhvillohen gërmime në një lokacion që dyshohet të jetë varrezë masive.
Sipas autoriteteve, në vendngjarje janë gjetur mbetje mortore dhe veshmbathje që dyshohet se u përkasin 23 intelektualëve nga Mitrovica, të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë.
Pas vizitës, ministri Sveçla deklaroi se zbulimi i këtij lokacioni është rezultat i angazhimit të institucioneve të sigurisë dhe bashkëpunimit me qytetarët.
“Falë punës intensive të institucioneve të sigurisë dhe bashkëpunimit me qytetarët kemi arritur të lokalizojmë një varrezë masive me mbetje të qytetarëve tanë. Puna po vazhdon si në terren, ashtu edhe në aspektin hetimor, për të identifikuar të gjithë përgjegjësit. Nuk do të ndalemi derisa të gjendet edhe personi i fundit i zhdukur”, tha Sveçla.
Ai ritheksoi se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës dhe për sjelljen para drejtësisë të autorëve të krimeve.
Ndërkohë, ekipet kompetente po vazhdojnë gërmimet dhe hetimet në Kalludër të Vogël, me qëllim identifikimin e mbetjeve mortore dhe dokumentimin e plotë të rastit.
Një ditë më parë, Policia e Kosovës arrestoi dy persona të dyshuar për përfshirje në zhdukjen e 23 intelektualëve nga Mitrovica, rast që dyshohet të jetë i lidhur me lokacionin ku po kryhen gërmimet.
RTV Dukagjini kishte sjell pamje ekskluzive nga vendi i ngjarjes.
