Audio-incizimet e bëra publike në “Debat Plus”, LDK kërkon hetim nga Prokuroria

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas audio-incizimeve të bëra publike mbrëmë në “Debat Plus” në Dukagjin ku Gentrit Syla, zyrtar në komunën e Prishtinës dhe Egzon Pacolli, shef i asamblistëve të LDK-së në Prishtinë flisnin për punësimin e gruas së një delegati në këmbim të votës ndaj Abdixhikut.

Edhe Syla dhe Pacolli mbrëmë në “Debat Plus” pretenduan se audio-incizimet janë të montuara nga ata që i quajtën ‘ekipa e Abdixhikut’ dhe të njëjtit thanë se nuk shantazhohen, njofton Dukagjini.

Në reagim, LDK-ja reagon ashpër ndaj pretendimeve për ushtrim presioni dhe kërcënimi ndaj delegatëve të Kuvendit të partisë, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat dhe Statutin e LDK-së.

Sipas LDK-së, një sjellje e tillë bie ndesh me parimet demokratike të partisë dhe me ligjin.

“Pamjet e publikuara në opinion, në të cilat pretendohet ushtrim i presionit nga zyrtarë të Komunës së Prishtinës mbi një delegat të LDK përmes kërcënimeve që lidhen me vendin e punës së një anëtari të familjes së tij, paraqesin një sjellje të papranueshme të këtyre zyrtarëve publik e në kundërshtim të plotë me vlerat, parimet dhe Statutin e LDK-së e në kundërshtim me ligjin. LDK është ndërtuar mbi lirinë e mendimit, votës dhe bindjes. Askush e aq më pak ata aë bartin role institucionale, nuk kanë të drejtë ta zëvendësojë vullnetin e lirë të delegatëve me frikësim, presion apo shantazh”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Në reagim, mes tjerash, bëhet e ditur se organet kompetente të LDK-së do të iniciojnë menjëherë procedura statutare dhe disiplinore ndaj anëtarëve të LDK-së që mund të rezultojnë të përfshirë në këtë rast, pavarësisht funksionit apo pozitës që mbajnë.

Njëkohësisht, LDK i ka bërë thirrje organeve të drejtësisë, në veçanti Prokurorisë, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit dhe për të përcaktuar përgjegjësinë ligjore nëse ekzistojnë elemente të veprave penale.

Në fund të reagimit, LDK thekson se nuk do të tolerojë asnjë veprim që cenon lirinë e vendimmarrjes, integritetin e proceseve demokratike dhe dinjitetin e anëtarëve të saj.

“Demokracia nuk mbrohet me presion. Ajo mbrohet me votë të lirë”.

Syla pas audio-incizimit: Nuk kam asnjë kompetencë për punësime

Pacolli pas audio-incizimit: Montazh dhe shantazh para Kuvendit, asgjë më shumë

Të fundit nga rubrika