Diplomacia imponuese si zgjidhja e vetme në dialogun Kosovë-Serbi

Diplomacia imponuese është një koncept i zhvilluar kryesisht pas Luftës së Ftohtë në studimet strategjike dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare. Ndryshe nga përdorimi i drejtpërdrejt i forcës ushtarake, ajo synon të arrijë objektiva politikë duke kombinuar negociatat diplomatike me kërcënimin e besueshëm për përdorimin e forces (George, 1994:2-3).

Alexander L. George, në librin e tij “The Limits of Coercive Diplomacy”, e përkufizon diplomacinë imponuese si një strategji që përpiqet ta bindë kundërshtarin të ndalojë një veprim, të tërhiqet nga një politikë ekzistuese ose të pranojë një marrëveshje të caktuar (George, 1994:10).

Ndërkaq, Thomas Schelling (1966) në veprën “Arms and Influence” e thekson dallimin në mes të detyrimit përmes forcës dhe detyrimit përmes kërcënimit të forcës. Sipas tij, fuqia në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk qëndron vetëm në aftësinë për të dëmtuar kundërshtarin, por në aftësinë për ta bindur atë përmes negociatave se një alternativë tjetër është më racionale sesa vazhdimi i rezistencës (Schelling, 1966:3).

Në këtë kuptim, diplomacia imponuese paraqitet si qasje e ndërmjetme mes diplomacisë tradicionale dhe përdorimit të drejtpërdrejt të forcës. Pra, ajo nuk synon me çdo kusht intervenimin ushtarak, por as nuk mbështetet vetëm në vullnetin e palëve për të arritur një zgjidhje. Kësisoj, duke kombinuar dialogun me presionin dhe kërcënimin kredibil, kjo qasje ka për qëllim të ndikojë në perceptimet dhe kalkulimet strategjike të palëve të përfshira në konflikt, duke i shtyrë ato drejt ndryshimit të qëndrimit ose pranimit të një marrëveshjeje.

Dialogu Kosovë – Serbi vazhdon të mbetet një nga sfidat më komplekse për sigurinë rajonale dhe diplomacinë evropiane. Për gati dy dekada, aktorët ndërkombëtarë kanë ndërmarrë iniciativa të shumta diplomatike me synim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve.

Megjithatë, pavarësisht angazhimit ndërmjetësues të Bashkimit Evropian, procesi i dialogut ka shënuar progres të limituar me disa marrëveshje teknike, por mbetet larg marrëveshjes përfundimtare paqesore, e cila do t`i adresonte në mënyrë gjithëpërfshirëse çështjet kryesore politike dhe të sigurisë mes dy shteteve.

Në këtë kontekst, shtrohet pyetja nëse diplomacia tradicionale, e mbeshtetur kryesisht në negociata, dialog dhe kompromis, është e mjaftueshme për normalizimin, derisa Serbia vazhdon me strategjinë hibride kundër statusit politik, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Përballë kësaj situate, diplomacia imponuese (coercive diplomacy), sipas te gjitha gjasave, do të duhej të vinte në shprehje si alternativa e vetme efektive.

Historia e luftërave në ish-Jugosllavi është dëshmi e qartë se si ndërhyrja e fuqive perëndimore në krye me SHBA-të, përmes presionit diplomatik dhe intervenimeve ushtarake, ka imponuar marrëveshje politike dhe përfundim të konflikteve të armatosura.
Diplomacia imponuese në zgjidhjen e konflikteve në ish-Jugosllavi.

Shpërbërja e dhunshme e Jugosllavisë gjatë viteve 1991-1999 konsiderohet një nga sfidat më të mëdha të sigurisë evropiane pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Luftërat në Kroaci, Bosnjë – Hercegovinë dhe Kosovë nxorën në pah limitet e diplomacisë tradicionale në menaxhimin e konflikteve etnike dhe territoriale.

Steven L. Burg dhe Paul Shoup (1999), në librin e tyre “The War in Bosnia-Herzegovina: Ethnic Conflict and International Intervention”, argumentojnë me të drejtë se: Përpjekjet fillestare të BE-së dhe më vonë të Kombeve të Bashkuara për të ndërmjetësuar armëpushime dhe marrëveshje politike rezultuan krejtësisht të pasuksesshme, për shkak të mungesës së mekanizmave efektivë për zbatimin e tyre (Burg & Shoup, 1999:171-205).

Për më tepër, mungesa e unitetit politik ndërmjet fuqive ndërkombëtare dhe hezitimi për të ndërmarrë masa më të vendosura ushtarake apo diplomatike ndikuan në zgjatjen e konflikteve dhe përkeqësimin e krizës humanitare. Kjo periudhë nxori në pah nevojën për një rol më aktiv dhe përfshirje të NATO-s në ruajtjen e paqes dhe sigurisë rajonale.
Edhe Analizat e Susan L. Woodward, e përforcojnë argumentin se dështimet e njepasnjëshme të bashkësisë ndërkombëtare nuk mund të shpjegohen vetëm me kompleksitetin politik, etnik dhe historik të konflikteve në ish-Jugosllavi, por edhe me mungesën e vullnetit politik dhe të një strategjie të koordinuar dhe efektive të organizatave ndërkombëtare dhe fuqive të mëdha për menaxhimin e shpërbërjes së Jugosllavisë (Woodward, 1995:367-385).

Përballë kësaj bllokade dhe krimeve të luftës që po ndodhnin ne terren, Shtetet e Bashkuara dhe NATO kaluan gradualisht nga një qasje e bazuar kryesisht në negociata drejt një strategjie “hard power” që kombinonte diplomacinë me presionin politiko-ushtarak dhe sanksionet ekonomike. Kjo qasje përputhej me konceptin e diplomacisë imponuese, sipas të cilit kërcënimi i besueshëm për përdorimin e forcës, i kombinuar me një ofertë diplomatike, mund ta detyrojë kundërshtarin të ndryshojë sjelljen e tij (George, 1994:2-3).

Megjithatë, këto masa nuk arritën të ndalonin spastrimin etnik dhe krimet e luftës (United Nations, 1999:71-75). Pas masakrës së Srebrenicës në korrik 1995 dhe sulmit në tregun Markale në Sarajevë, NATO ndërmori Operacionin Deliberate Force, një fushatë ajrore kundër objektivave ushtarake të serbëve të Bosnjës. Bombardimet, të kombinuara me ofensivat tokësore të forcave boshnjake dhe kroate dhe presionin diplomatik amerikan, krijuan kushtet që palët të pranonin negociatat në Dayton.

Edhe lufta e Kosovës gjatë viteve 1998 -1999 përfaqëson një nga rastet më të rëndësishme të përdorimit të diplomacisë imponuese (coercive diplomacy). Konferenca e Rambujesë (shkurt – mars 1999) ishte përpjekja kulmore e negociatave dhe instrumenti kryesor i diplomacies imponuese. Sërish, SHBA-të luajtën rolin kryesor në procesin e Rambujesë.

Administrata Clinton e konsideronte krizën e Kosovës një provë për kredibilitetin e politikës perëndimore pas dështimeve në Bosnje, ku vonesa në ndërhyrje kishte prodhuar pasoja të rënda humanitare. Strategjia amerikane bazohej në idenë se negociatat pa presion nuk do të mjaftonin për të ndryshuar sjelljen e Beogradit (Los Angeles Times, 14/02/1999).

Për këtë arsye, diplomacia dhe përgatitjet ushtarake të NATO-s u zhvilluan paralelisht. Në këtë kuptim, Rambujeja nuk ishte vetëm një konferencë paqeje, por edhe një instrument presioni. Mesazhi ndaj Milosheviqit ishte se refuzimi i një marrëveshjeje do të kishte pasoja të drejtpërdrejta ushtarake. Përgjigjen e dimë të gjithë: më 24 mars 1999 NATO filloi Operacionin e sulmeve ajrore Allied Force, i cili rezultoi me çlirimin e Kosovës dhe vendosjen e një pranie ndërkombëtare civile dhe ushtarake në territorin e saj.

Nga “dështimi” i dialogut Kosovë – Serbi të ndërmjetësuar nga BE te imperativi i përfshirjes amerikane përmes diplomacisë imponuese.

Që nga fillimi i dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në vitin 2011, pritjet ishin që procesi të shndërrohej në mekanizmin kryesor për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe për konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Megjithatë, pas gati 15 vitesh negociata, dialogu ka prodhuar disa marrëveshje, por shumë pak rezultate konkrete në terren. Kjo tregon limitet e diplomacisë evropiane si ndërmjetëse dhe njëkohësisht ekspozon strategjinë e Serbisë për ta përdorur dialogun jo si instrument normalizimi, por si mekanizëm për të ruajtur status quo-në dhe për të penguar konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Pse nevojitet rikthimi amerikan në këtë proces? Përfshirja amerikane nuk duhet kuptuar me çdo kusht si zëvendësim i BE-së, por si element shtesë që i jep procesit peshë strategjike dhe mekanizma implementimi. SHBA-ja ka disa avantazhe që e bëjnë atë aktor unik në çështjen e Kosovës. Për dallim nga diplomacia negociuese, SHBA-të kanë kapacitete të fuqishme në ndërlidhjen e diplomacisë me instrumente konkrete politike, ekonomike dhe të sigurisë.

Roli amerikan në NATO, prania në KFOR dhe ndikimi mbi arkitekturën e sigurisë evropiane i japin Uashingtonit një kapacitet dhe avantazh që aktorët e tjerë nuk e kanë, e aq më pak Bashkimi Evropian. Historia e Kosovës tregon se SHBA-ja ka qenë aktori kryesor në momentet kur kërkohej ndryshim real politik. Në vitin 1999, vetëm kombinimi i presionit diplomatik amerikan, kërcënimit ushtarak të NATO-s dhe ndërhyrjes ndërkombëtare krijoi kushtet për përfundimin e luftës (Barthe & David, 2007:88-90).

“Dështimi” i dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian nuk do të thotë se diplomacia ka dështuar si koncept, por se modeli aktual i diplomacisë së BE-së nuk i posedon instrumentet e nevojshme për të garantuar implementimin e një marrëveshjeje eventuale. Përvoja e Kosovës e vitit 1999 dëshmon gjithashtu se ndryshimet historike në Ballkan kanë ndodhur vetëm atherë kur diplomacia është mbështetur nga fuqi reale politike dhe ushtarake.

Për këtë dhe shumë arsye tjera, Kosova duhet të kërkojë një angazhim më aktiv dhe të drejtpërdrejt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut me Serbinë, veçanërisht në fazën kur përpjekjet e vazhdueshme diplomatike nuk kanë sjellë një marrëveshje përfundimtare dhe të qëndrueshme. Prandaj, marrëveshja Kosovë – Serbi kërkon një garantues që ka vullnetin dhe kapacitetet jo vetëm të ndërmjetësojë, por edhe të garantojë implementimin politik e ushtarak të saj.

Në rrethanat aktuale gjeopolitike dhe duke marrë parasysh rolin e SHBA-ve në të gjitha proceset e shtetndërtimit, përfshirja e saj e drejtepërdrejt duhet parë si fundamentale për krijimin e kushteve që mund të rezultojnë me një marrëveshje paqësore të qëndrueshme dhe të implementueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Të fundit nga rubrika