Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nga fillimi i vitit deri në fund të muajit korrik 2026, në aksidente trafiku kanë humbur jetën 58 persona, duke u bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut.
Përmes një fushate ndërgjegjësuese, policia ka theksuar se pas çdo numri fshihet një jetë e humbur dhe një familje e prekur nga tragjedia.
Sipas të dhënave të publikuara, nga 58 viktimat, 30 kanë qenë shoferë, 14 pasagjerë dhe 14 këmbësorë. Po ashtu, janë regjistruar 19 vetëaksidente me pasoja fatale, ku sipas policisë nuk ka qenë i përfshirë asnjë automjet tjetër.
“Kjo nuk është statistikë. Këto janë jetë të shuara”, thuhet në mesazhin e Policisë së Kosovës.
Policia rikujton se rruga nuk është pistë garash dhe u bën thirrje qytetarëve të mos përdorin telefonin gjatë vozitjes, të respektojnë kufizimet e shpejtësisë, të vendosin rripin e sigurimit dhe të tregojnë kujdes të shtuar ndaj këmbësorëve.
“Një sekondë vlen sa jeta”, është mesazhi përmbyllës i fushatës sensibilizuese të Policisë së Kosovës.