Zyrtarët doganorë të Doganës së Kosovës kanë parandaluar një tentim për futjen e medikamenteve të padeklaruara në territorin e Republikës së Kosovës, gjatë kontrolleve të rregullta në Pikën e Kalimit Kufitar Dheu i Bardhë.
Sipas njoftimit të Doganës, gjatë një kontrolli rutinor të një autobusi, zyrtari doganor ka identifikuar një hapësirë të kamufluar në shkallët e mjetit. Pas kontrollit të detajuar të kësaj hapësire janë zbuluar disa pako të fshehura, të cilat fillimisht dyshohej se përmbanin çaj.
Megjithatë, pas hapjes dhe verifikimit të përmbajtjes, është konstatuar se në to ndodheshin medikamente të padeklaruara. Vlera e përafërt e mallit të zbuluar llogaritet rreth 6 mijë euro.
Dogana bëri të ditur se para fillimit të kontrollit fizik, vozitësi i autobusit ishte intervistuar nga zyrtarët doganorë dhe ishte pyetur nëse posedonte mallra ose mjete monetare për deklarim, por ai kishte deklaruar se nuk kishte asgjë për të paraqitur pranë autoriteteve doganore.
Sipas Doganës së Kosovës, mosdeklarimi i mallrave para autoriteteve doganore përbën kundërvajtje doganore dhe bie ndesh me dispozitat e Kodit Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, i cili obligon çdo person që hyn ose del nga territori doganor i Republikës së Kosovës me mallra, t’i deklarojë ato sipas procedurave në fuqi.
Për shkak të natyrës së mallit dhe rrethanave të rastit, autobusi është dërguar në terminalin doganor për kontroll të mëtejshëm. Procedurat janë zhvilluar në bashkëpunim me Policinë Kufitare, ndërsa pas përfundimit të ekzaminimit janë ndërmarrë veprimet e parapara me legjislacionin në fuqi.
Dogana rikujtoi se importi i medikamenteve i nënshtrohet kërkesave të veçanta ligjore dhe, varësisht nga lloji dhe sasia e tyre, mund të kërkojë autorizime dhe dokumentacion përkatës nga institucionet kompetente.
Institucioni theksoi se çdo tentim për fshehje ose mosdeklarim të mallrave cenon sigurinë e zinxhirit të furnizimit, konkurrencën e ndershme dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
Dogana e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin për zbatimin e ligjit, luftimin e kontrabandës dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve përmes kontrolleve efektive dhe bashkëpunimit të ngushtë me institucionet përgjegjëse.