Kriza e migracionit në enklavën spanjolle të Ceutës ka shkaktuar tensione politike mes Italisë dhe Spanjës, pasi qeveria italiane njoftoi rivendosjen e përkohshme të kontrolleve kufitare për lidhjet detare dhe ajrore me Spanjën.
Vendimi erdhi pasi mijëra migrantë mbërritën në Ceuta, duke nxitur spekulime në disa media se Italia kishte pezulluar Marrëveshjen e Shengenit në raport me Spanjën.
Këto raportime u nxitën nga një deklaratë e kryeministres Giorgia Meloni në rrjetin social X, ku ajo tha se qeveria kishte vendosur të pezullonte përkohësisht regjimin e lëvizjes së lirë për lidhjet detare dhe ajrore me Spanjën, duke rivendosur kontrollet kufitare.
Megjithatë, ekspertët sqarojnë se Italia nuk ka pezulluar Marrëveshjen e Shengenit. Rregullat e zonës Shengen u japin shteteve anëtare të drejtën të rivendosin përkohësisht kontrollet në kufijtë e brendshëm në rast të një kërcënimi serioz për rendin publik ose sigurinë e brendshme.
Italia e ka zbatuar tashmë një masë të ngjashme prej më shumë se një viti në kufirin me Slloveninë për personat që vijnë nga vende të treta. Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, e cilësoi vendimin si një masë “të rëndësishme, por paraprake”.
Sipas legjislacionit të Shengenit, asnjë shtet nuk mund të përjashtojë në mënyrë të njëanshme një vend tjetër nga zona e lëvizjes së lirë. Për këtë arsye, vendimi i Italisë përbën vetëm një rivendosje të përkohshme të kontrolleve kufitare, si një përjashtim i parashikuar nga rregullat e Shengenit dhe jo një pezullim të marrëveshjes.