Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ka dërguar ftesë për takim tri partive opozitare në prag të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje u ka përcjellë ftesat Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me qëllim të diskutimit për konstituimin e institucioneve dhe proceset e ardhshme politike.
PDK dhe AAK kanë konfirmuar se kanë pranuar ftesën e Kurtit për takim, por deri tani nuk kanë bërë të ditur nëse do të marrin pjesë në të dhe as nuk kanë dhënë përgjigje përfundimtare lidhur me këtë çështje.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka dhënë përgjigje nëse e ka pranuar ftesën dhe nëse do të marrë pjesë në takimin e propozuar.
Takimi, nëse konfirmohet, pritet të zhvillohet para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila është caktuar për 6 gusht.