Policia e Kosovës ka arrestuar Egzon Reshanin, i cili ishte në kërkim me urdhërarrest aktiv për disa vepra të rënda penale.
Sipas njoftimit të Policisë, arrestimi është bërë mbrëmjen e 3 gushtit, pak pas orës 22:00, nga zyrtarët e Policisë Kufitare në Stacionin për Mbikëqyrjen e Kufirit në Muçivërcë.
Gjatë patrullimit në zonën e fshatit Karaqevë e Poshtme, policia ka identifikuar një automjet që kishte hyrë nga drejtimi i Breznicës në Serbi në territorin e Kosovës. Automjeti është ndaluar në fshatin Novosellë, ku pasagjeri, i identifikuar si Egzon Reshani, ka tentuar të arratiset në këmbë drejt vijës kufitare.
Pas reagimit të menjëhershëm të zyrtarëve policorë, ai është ndaluar dhe arrestuar në afërsi të kufirit, duke u penguar të largohej nga territori i Kosovës.
Policia bëri të ditur se Reshani kërkohej nga organet e drejtësisë për veprat penale “Vrasje në tentativë”, “Fajde”, “Privim i kundërligjshëm i lirisë” dhe “Detyrim”.
Gjatë kontrollit fizik, policia i ka gjetur dhe sekuestruar edhe një thikë. Me urdhër të prokurorit kompetent është iniciuar edhe një rast për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”.
Pas përfundimit të procedurave nga Policia Kufitare, i dyshuari është dorëzuar te njësitë kompetente të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren për procedurat e mëtejshme sipas urdhërarrestit.