Një marrëveshje nuk u arrit mbrëmjen e së martës, por detajet e diskutimit brenda takimit tre orësh u rezervuan t’i thonë edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e edhe ai i LDK-së Lumir Abdixhiku.
Por për të treguar rrjedhën e bisedës, ky i fundit mblodhi Grupin Parlamentar pasditen e kësaj të mërkure.
Pas takimit, Abdixhiku sërish ishte i rezervuar para mediave.
Lumir Abdixhiku – Kryetar i LDK-së tha “ska asgje te re”.
E, kërkesa e LDK-së është për postin e presidentit, kërkesë të cilën po e mbështet kundërshtarja partiake e Abdixhikut, Hykmete Bajrami.
Hykmete Bajrami – Deputete e zgjedhur e LDK-së tha “Unë nuk i di detajet e takimit, por nga ajo që kam parë në media, domethënë kryetari i LDK-së me të drejtë, m’u duk, që insiston në pozitën e presidentit. Mendoj se pozita e presidentit do të siguronte një balancim të pushteteve në Kosovë dhe do të ishte një siguresë si për Kosovën, ashtu edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës”, u shpreh ajo.
Ndërsa deputeti tjetër i kësaj partie Armend Zemaj tha se LDK nuk synon poste, por garantim të një partneriteti.
“Kjo temë që është hedhur nga LVV në emër të pozitave, ato janë kredibile që sigurojnë partneritet. Kryetari i kuvendit i takon shumicës kuvendare edhe me kushtetutë por edhe si përfaqësim parlamentar. Pjesë tjerat që lidhen me ekzekutivin dhe sigurinë e kontrollit mbi pushtetin siç është roli i presidentit, është mbi nivelin partiak të përfaqësimit që i takon një subjekti politik pozita e kryetarit të parlamentit”, tha Zemaj.
Takimi i 4 gushtit erdhi pasi Abdixhiku edhe njëherë i mbijetoi votëbesimit të partisë së tij dhe vazhdoi drejtimin e LDK-së. Ai ishte i vetmi lider opozitar që i tha po ftesës së dërguar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherit edhe kryeministër në detyrë.
