Eksperti i sigurisë, Korab Blakaj, ka kritikuar Prokurorinë për, siç ka thënë, dështimin në hetimin dhe ndjekjen e krimeve të luftës në Kosovë.
Në një reagim në Facebook, Blakaj ka shkruar se një prokurori që nuk i ndjek krimet e luftës nuk dështon vetëm ndaj viktimave, por dobëson edhe vetë shtetin.
“Prokuroria që nuk ndoqi krimet e luftës u shndërrua në rrezik për shtetin”, ka shkruar ai.
Sipas Blakajt, fuqia e shtetit nuk matet vetëm me kontrollin e kufijve, ushtrinë dhe simbolet shtetërore, por edhe me aftësinë për ta zbatuar ligjin, për ta mbrojtur interesin publik dhe për t’i ndëshkuar personat që kanë cenuar ekzistencën e tij.
Ai ka vlerësuar se mosndëshkimi i krimeve të luftës nuk përbën vetëm mungesë të drejtësisë, por edhe cenim të sigurisë kombëtare.
“Krimet e luftës nuk janë vepra penale të zakonshme. Ato janë tentativa për ta shkatërruar popullin shqiptar, për ta ndryshuar strukturën demografike, për ta nënshtruar politikisht dhe për ta zhdukur kujtesën historike”, ka shkruar Blakaj.
Ai ka theksuar se institucionet e inteligjencës dhe organet e tjera shtetërore mund të mbledhin informacione, por pa veprimin e Prokurorisë ato nuk shndërrohen në përgjegjësi penale.
“Çfarë vlere ka puna e inteligjencës nëse informacionet për autorët e krimeve nuk përfundojnë në aktakuza? Çfarë vlere kanë raportet e institucioneve shtetërore nëse ato mbyllen në sirtarë?”, ka pyetur ai.
Blakaj ka thënë se çdo vonesë në hetime e vështirëson sigurimin e provave, sjell humbjen e dëshmitarëve dhe rrit mundësinë që autorët të mos përballen asnjëherë me drejtësinë.
Sipas tij, mosveprimi institucional ka dëmtuar besimin e qytetarëve, ka dobësuar autoritetin e ligjit dhe ka krijuar perceptimin se shteti nuk është në gjendje ta mbrojë as kujtesën e viktimave dhe as interesin e tij strategjik.
Ai ka kritikuar gjithashtu një pjesë të mediave, të cilat, sipas tij, nuk kanë kërkuar llogari të mjaftueshme për mungesën e rezultateve në hetimin e krimeve të luftës, por e kanë zhvendosur debatin drejt çështjeve dytësore.
Në fund, Blakaj ka paralajmëruar se vazhdimi i pandëshkueshmërisë dhe degradimit institucional mund ta dëmtojë rëndë besimin se sistemi mund të reformohet përmes mekanizmave ligjorë dhe demokratikë.
“Kush do ta mbajë përgjegjësinë nëse një ditë shpresa te shteti zëvendësohet nga bindja se shteti nuk reformohet më me mjetet e zakonshme?”, ka përfunduar Blakaj.