Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja janë duke vazhduar, por ka theksuar se ende nuk ka pajtim për çështjen e presidentit.
Abdixhiku tha se ekzistojnë afrime në disa tema, ndërsa dallimet mbeten në atë që e cilësoi si çështja kryesore – balanca demokratike.
“Po përpiqemi t’i shmangim zgjedhjet e reja. Duhet kohë, duhet përpjekje. Po përpiqemi që të gjithë ata që i përfaqësojmë t’i mbajmë rreth një zgjidhjeje të përbashkët. Nuk janë të lehta këto procese. Përderisa po përpiqemi, do të thotë se duam të shmangim zgjedhjet e reja. Shkuarja në zgjedhje është dëmi më i madh që i bëhet Republikës”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai bëri të ditur se kontaktet dhe takimet mes palëve do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me synimin për të arritur një marrëveshje.
“Do të jem në takime të vazhdueshme. Ka shumë afrime në shumë çështje, por ende kemi distancë në çështjen kryesore që është balanca demokratike. Kuvendi duhet të konstituohet, nuk ka arsye të mos konstituohet. Meqë po takohemi, është shenjë e mirë”, u shpreh ai.