Sot përfundon afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa ende nuk është bërë e ditur se kur do të vazhdojë seanca konstituive e ndërprerë të enjten.
Seanca për konstituimin e legjislaturës së 11-të u ndërpre me kërkesë të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili kërkoi kohë shtesë për vazhdimin e diskutimeve me partitë parlamentare, me synimin për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Pavarësisht kundërshtimeve të deputetëve të opozitës, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu punimet, duke bërë të ditur se për vazhdimin e tyre deputetët do të njoftohen me kohë.
Para ndërprerjes, Kuvendi arriti të përfundojë dy pikat e para të rendit të ditës. U formua Komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve të deputetëve, ndërsa më pas deputetët e legjislaturës së re dhanë betimin. Betimin e bënë edhe deputetët e Listës Serbe.
Megjithatë, Kuvendi nuk procedoi me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ndërsa sot skadon afati 30-ditor i përcaktuar me Kushtetutë për konstituimin e legjislaturës së re.
Ndërprerja e seancës u pasua me reagime të ashpra nga partitë opozitare.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për sjellje të papërgjegjshme ndaj institucioneve.
“Po shihet që vazhdojnë sjelljet e tyre të papërgjegjshme në raport me institucionet. Thirret seanca thuajse në ditën e fundit në përputhje me Kushtetutën që të kemi konstituimin dhe në fund dalin, mbajnë fjalime politike, abuzojnë edhe me pozitën e kryesuesit”, deklaroi Hamza.
Ai tha se nuk sheh arsye për takime pa rezultate konkrete me kryeministrin në detyrë.
“Takim pa përmbajtje, pa produkt, pa rezultat nuk kemi nevojë të takohemi. Ne kemi dhënë qëndrimin tonë”, shtoi ai.
Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, kritikoi kërkesën e Kurtit për shtyrje të seancës.
“Sot del kryetari i LVV-së dhe u thotë qytetarëve të Kosovës se i duhet ende kohë. Po a pate, more burrë, kohë 30 ditë me diskutu me partitë politike për me ardhë te një marrëveshje politike? Nëse ka qenë qëllimi për me dalë prej këtij rrethi vicioz, pse nuk ke folur me partitë politike për presidentin e Kosovës?”, tha Tahiri.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, deputeti Armend Zemaj u shpreh se pret lëvizje pozitive gjatë ditës.
“E gjithë koha kushtetuese është në ditën e sotme, sipas interpretimit dhe gjykimit tim. Shpresoj dhe besoj që brenda ditës së sotme të ketë ndonjë lëvizje pozitive”, deklaroi ai.
Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mbrojti kërkesën për shtyrjen e seancës, duke thënë se konstituimi i Kuvendit pa një marrëveshje për presidentin do ta çonte vendin drejt një krize të re institucionale.
“Çfarëdo konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje për çështjen e presidentit praktikisht do të ishte parapërgatitje për shpërndarjen e Kuvendit. Dhënia e mundësisë për dialog politik për të arritur marrëveshje është e vetmja mënyrë dhe zgjidhja e duhur për konstituimin e institucioneve tona”, deklaroi Kurti.
Ai tha se është i gatshëm të vazhdojë bisedimet me LDK-në dhe ftoi në takim edhe kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, si dhe kryetarin e AAK-së, Ardian Gjini.
Takimi i fundit ndërmjet drejtuesve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës u zhvillua të mërkurën, por përfundoi pa marrëveshje, ndonëse palët thanë se kishte afrim të qëndrimeve në disa çështje, jo edhe për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të vendit.