Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është takuar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.
Takimi po mbahet në ditën kur përfundon afati kushtetues për konstituimin e legjislaturës së re, ndërsa institucionet ende nuk kanë njoftuar për vazhdimin e seancës konstituive të ndërprerë të enjten.
Seanca u ndërpre pasi Kurti kërkoi kohë shtesë për të vazhduar bisedimet me partitë parlamentare, me synimin për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Një takim mes Kurtit dhe Abdixhikut ishte zhvilluar edhe më herët, por pa rezultat konkret. Pas atij takimi, të dyja palët kishin bërë të ditur se kishte afrim në disa çështje, por jo edhe në temën kryesore – arritjen e një marrëveshjeje për presidentin.
Ndërkohë, ftesat e Kurtit për takime me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, janë refuzuar nga këto dy subjekte politike.