Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën dhe 23 të tjerë janë plagosur pasi një djalë 14-vjeçar hapi zjarr në shtëpinë e tij dhe më pas në shkollë, në periferi të kryeqytetit të Tajlandës, Bangkokut.
Sulmuesi, nxënës në shkollën Debsirin School në provincën Nonthaburi, vrau gjyshërit e tij dhe pesë mësues përpara se të kryente vetëvrasje, deklaroi kryeministri tajlandez Anutin Charnvirakul para gazetarëve.
Ai shtoi se 14-vjeçari kishte ende “më shumë se 30 plumba” kur e drejtoi armën ndaj vetes, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Sipas autoriteteve, nëntë nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike.
Kjo është të shtënat e dyta në një shkollë në Tajlandë gjatë këtij viti dhe ngjarja ka shtuar presionin ndaj qeverisë për masa më të forta për kontrollin e armëve.
Policia u dërgua në vendin e ngjarjes gjatë sulmit, i cili nisi pak pas orës 10:00 sipas kohës lokale (03:00 GMT).
Shefi i Policisë Kombëtare, gjenerali Kittiratt Phanphet, tha se ekspertët mjeko-ligjorë kanë konstatuar se të shtënat e autorit ishin mjaft të sakta dhe disa prej tyre kishin goditur pjesë jetike të trupit.
Kryeministri e përshkroi sulmin si “të përgatitur mirë”, me “hapa të qartë dhe objektiva të qarta”.
Një nxënëse e klasës së shtatë, ende me uniformën e shkollës, i tha BBC-së se po qëndronte pranë mësueses së saj kur ajo u qëllua.
Autoritetet u bënë thirrje qytetarëve të qëndronin larg zonës, ndërsa atyre që ishin bllokuar brenda ndërtesës t’u fshiheshin dhe të prisnin ekipet e shpëtimit.
Më vonë, shkolla publikoi në rrjetet sociale një thirrje për dhurim gjaku.
Edhe shkollat e tjera në zonën përreth pezulluan mësimin, duke lejuar nxënësit të ktheheshin më herët në shtëpi.
Identiteti i sulmuesit nuk është bërë publik dhe policia ende nuk ka zbuluar motivin e sulmit.
Hetimet po vazhdojnë, ndërsa policët janë parë duke larguar pajisje kompjuterike dhe kuti nga shtëpia ku autori jetonte me gjyshërit e tij, të cilët i vrau para sulmit në shkollë.
Sipas autoriteteve, 14-vjeçari jetonte me gjyshërit pasi prindërit e tij ishin të divorcuar. Të dy prindërit janë marrë në pyetje nga policia lokale.
Debsirin School, e themeluar në Bangkok më 1885, konsiderohet një nga shkollat e mesme më prestigjioze të Tajlandës dhe ka degë në mbarë vendin. Në mesin e ish-nxënësve të saj ka diplomatë, sportistë dhe disa kryeministra tajlandezë.