Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka përsëritur ofertën që, sipas tij, LVV-ja ua ka bërë dy partive opozitare, LDK-së dhe PDK-së, lidhur me formimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit.
Kërçeli ka thënë se tërheqja e një emri politik për t’i hapur rrugë një kandidati konsensual për president përbën një koncesion nga ana e LVV-së.
Ai reagimin e tij e ka nisur duke theksuar se asnjë kandidat i LDK-së, por as i subjekteve të tjera politike, nuk ka marrë mbi 120 mijë vota.
Sa i përket PDK-së, Kërçeli ka deklaruar se LVV-ja propozon zgjedhjen e një presidenti konsensual, ndërsa PDK-së t’i takojë pozita e kryetarit të Kuvendit.
“Për PDK-në: po e zgjedhim një president konsensual dhe kryetarin e Kuvendit për PDK-në. Njërën nga tri pozitat e larta të shtetit”, ka shkruar Kërçeli.
Ai ka shtuar se deputetët e PDK-së mund të votojnë edhe kundër kandidatit për president, por sipas tij, pjesëmarrja e tyre në proces do të nënkuptonte pjesëmarrje në formimin e institucioneve.
Kërçeli i është referuar edhe LDK-së, duke rikujtuar marrëveshjen e kaluar të kësaj partie për pjesëmarrje në qeverisje.
Sipas tij, LDK-ja me 30 deputetë kishte hyrë në qeverisje duke marrë përgjegjësi për disa pozita të larta shtetërore dhe ministra.
“Për LDK-në, e cila me 30 deputetë kishte hyrë në qeverisje duke e dhënë edhe pozitën e presidentit, edhe kryeparlamentarit, zëvendëskryeministrin dhe tre ministra, ose kryetarin e Kuvendit e tri ministri, edhe pse sot i ka 18 deputetë”, ka shkruar Kërçeli.
Në fund, ai u ka bërë thirrje edhe deputetëve të LDK-së që të marrin pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se ata mund të votojnë kundër.
“Po ashtu, edhe për deputetët e LDK-së: merrni pjesë në votim dhe votoni kundër”, ka përfunduar Kërçeli.