British Columbia ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme të shtunën, pasi mijëra njerëz në provincën perëndimore kanadeze u urdhëruan të largoheshin nga banesat e tyre për shkak të një zjarri pyjor që po përhapej me shpejtësi dhe që pothuajse u dyfishua në përmasa gjatë natës.
Zjarri i quajtur “Bald Range” është përhapur me shpejtësi në rreth 9,500 hektarë, duke bërë që autoritetet të urdhëronin evakuimin në Summerland, Peachland dhe zona të tjera në perëndim të liqenit Okanagan, në pjesën jugore të brendshme të provincës.
Rajoni prodhon pjesën më të madhe të verës së British Columbia-s dhe është zona e dytë më e madhe prodhuese e verës në Kanada.
Kryeministri i provincës, David Eby, ka thënë në një konferencë për shtyp të shtunën se një zyrtar i shërbimit zjarrfikës e kishte krahasuar zjarrin me “shpërthimin e një bombe”.
“Ai ka përshkruar flakë që arrinin deri te pemët 30 metra të larta”, ka thënë Eby.
“Shtëpi janë djegur dhe prona janë shkatërruar. Disa njerëz mbetën të bllokuar pasi kushtet ndryshuan shumë shpejt dhe u desh të shpëtoheshin”, ka thënë kryeministri, duke shtuar se situata mbetej shumë dinamike dhe kërcënuese.
