Ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, ka reaguar pas vizitës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Beograd dhe takimit të tij me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Konjufca ka shprehur keqardhje për deklaratat e Zelenskyt se Ukraina nuk e njeh dhe nuk ka ndërmend ta njohë Republikën e Kosovës.
“Ne i marrim në konsideratë me keqardhje komentet e Presidentit Zelenskyy në Beograd, të cilat riafirmojnë mosnjohjen e Republikës së Kosovës nga Ukraina. Që nga dita e parë e agresionit në shkallë të plotë të Rusisë, Kosova ka qëndruar pa mëdyshje në krah të Ukrainës”, ka shkruar Konjufca në rrjetin social X.
Ai ka theksuar se Kosova ka qëndruar pa mëdyshje në krah të Ukrainës që nga dita e parë e agresionit të plotë rus, duke dënuar pushtimin, duke u rreshtuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së përbashkët të BE-së, si dhe duke vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.
Sipas tij, Kosova ka ofruar gjithashtu ndihmë humanitare dhe strehim për gazetarët ukrainas, si dhe ka kontribuar me ndihmë ushtarake dhe trajnime në mbështetje të mbrojtjes së Ukrainës.
“Ne e bëmë këtë pavarësisht mosnjohjes së shtetit tonë nga Ukraina, sepse solidariteti me një popull që mbron lirinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të tij është çështje parimore”, ka deklaruar Konjufca.
Ai ka theksuar gjithashtu dallimin mes Kosovës dhe Serbisë sa i përket qëndrimit ndaj sanksioneve kundër Rusisë.
Konjufca ka thënë se Kosova ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, ndërsa Serbia nuk është rreshtuar me sanksionet e BE-së të vendosura në përgjigje të agresionit rus në Ukrainë.
Konjufca ka rikujtuar edhe procesin historik dhe ndërkombëtar që çoi në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Ai ka përmendur ndër të tjera administrimin ndërkombëtar nën OKB, negociatat e ndërmjetësuara ndërkombëtarisht, Planin e Ahtisaarit dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, sipas të cilit deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
“Pikërisht për këto arsye, përpjekjet e Rusisë për ta përdorur Kosovën si precedent apo justifikim për pushtimin, okupimin apo përpjekjen për aneksimin e territorit ukrainas janë historikisht dhe ligjërisht të pavërteta. Nuk ekziston një paralele e tillë”, ka shkruar ai.
Konjufca ka theksuar se Kosova mbetet e vendosur në mbështetjen e saj për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Ai ka thënë se Kosova do ta mirëpriste njohjen nga Ukraina, duke vlerësuar se një vendim i tillë do t’i forconte parimet e lirisë, demokracisë dhe të drejtës ndërkombëtare që, sipas tij, Ukraina po i mbron sot.
“Ne do ta mirëprisnim njohjen e Republikës së Kosovës nga Ukraina. Një vendim i tillë do të forconte vetë parimet e lirisë,demokracinë dhe të drejtën ndërkombëtare që vetë Ukraina po i mbron sot”, ka shkruar ai.
We take note with regret of President Zelenskyy’s remarks in Belgrade reaffirming Ukraine’s non-recognition of the Republic of Kosova.
Since the first day of Russia’s full-scale aggression, Kosova has stood unequivocally with Ukraine. We condemned the invasion, fully aligned…
— Glauk Konjufca (@KonjufcaGlauk) August 9, 2026
Shqipëria për Zelenskyn në Serbi: Kosova nuk mund të barazohet me Ukrainën
