Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me mundësinë e ndërhyrjes në resurset ujore dhe infrastrukturën që ndërlidhet me sistemin Ibër-Lepenc.
Përmes një postimi në Facebook, Pacolli i ka cilësuar deklaratat e Vuçiqit si “thellësisht shqetësuese dhe të papranueshme”.
Ajo ka theksuar se, sipas Konventës së Helsinkit, shtetet kanë detyrim të bashkëpunojnë për përdorimin e drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, si dhe të parandalojnë dëmet ndërkufitare dhe të mbrojnë ekosistemet ujore.
“Resurset ujore nuk mund të përdoren si instrument kërcënimi, presioni apo destabilizimi ndaj një shteti tjetër”, ka shkruar Pacolli.
Pacolli ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që t’i trajtojë me seriozitet deklaratat e tilla, duke iu bërë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kombeve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë që të reagojnë.
Ministrja në detyrë ka deklaruar se Kosova do t’i mbrojë resurset ujore dhe infrastrukturën kritike, duke vepruar në përputhje me Kushtetutën, ligjet e Kosovës dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare.