Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka publikuar të dhënat e fundit për fluksin në pikat e kalimit kufitar të Kosovës.
Sipas përditësimit të bërë më 10 gusht, në orën 19:11, në disa pika kufitare janë regjistruar pritje më të gjata për automjetet.
Pritjet më të gjata janë shënuar në Dheun e Bardhë dhe Muçibabë, ku qytetarët që po dalin nga Kosova presin deri në 60 minuta.
Në Dheun e Bardhë, kolona në dalje arrin deri në 150 metra, ndërsa në Muçibabë është krijuar kolonë deri në 500 metra.
Në Jarinjë, pritjet për të hyrë në Kosovë janë 10 deri në 15 minuta, ndërsa në dalje nga 5 deri në 10 minuta.
Në shumicën e pikave të tjera kufitare, pritjet variojnë nga 1 deri në 10 minuta, ndërsa në disa pika qarkullimi zhvillohet pa kolona.
