Rasti i Nenad Rashkoviqit, për të cilin është pretenduar nga Lista Serbe dhe Beogradi se është sulmuar nga tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës më 11 gusht, vazhdon të nxisë reagime dhe pikëpyetje rreth rrethanave në të cilat janë shkaktuar lëndimet e tij.
Hendri Deda, përmes një postimi në Facebook, ka ngritur pretendimin se lëndimet mund të mos jenë shkaktuar nga persona të tjerë, por nga vetë Rashkoviqi. Deda e mbështet dyshimin e tij në pamjen dhe drejtimin e shenjave të goditjeve, si dhe e lidh datën e incidentit me simbolikën fetare ortodokse.
“Ndonjëherë duhet ta hulumtoni mirë rastin dhe ta shikoni me vëmendje: ky njeri e ka rrahur veten”, ka shkruar Deda.
Ai tërheq vëmendjen te shenjat e dukshme në trup, duke pyetur: “A i vëreni dot vijat diagonale të goditjeve nga të dyja anët?”.
Në postimin e tij, Deda e lidh këtë pretendim edhe me praktikën historike të vetëflagjelimit, duke thënë se forma të vetëndëshkimit fizik janë shfaqur në kontekste të caktuara fetare si shprehje ekstreme e pendesës dhe asketizmit.
Sipas Dedës, rëndësi ka edhe fakti që rasti raportohet të ketë ndodhur më 11 gusht. Ai pretendon se kjo datë lidhet në kalendarin ortodoks me përkujtimin e Shën Kalinikut dhe Shën Serafimes dhe me simbolikën e vuajtjes e sakrificës.
“Pikërisht në ditën e 11 gushtit, kur edhe kinse u rrah nga tre policë, 11 gushti lidhet me festën e Shën Kalinikut dhe Shën Serafimes. Kjo ditë në traditën ortodokse lidhet me përkujtimin e vuajtjeve dhe sakrificës”, ka shkruar Deda.
Pretendimi i Dedës vjen ndërkohë që janë ngritur pikëpyetje edhe rreth gjendjes shëndetësore të Rashkoviqit dhe transportimit të tij për trajtim në Beograd.
Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, u përball me pyetje nga një gazetare serbe lidhur me arsyen e transportimit, pasi ajo iu referua një deklarimi të mëhershëm sipas të cilit gjendja e pacientit ishte stabile.
“Nuk e di kush ka deklaruar këtë mëngjes se gjendja ishte stabile. Unë kam dhënë deklaratë mbrëmë dhe kam thënë se gjendja ishte jostabile”, deklaroi Elek.
Ai tha se vendimi për dërgimin e Rashkoviqit në Beograd ishte marrë nga kolektivi i mjekëve për shkak të, siç tha, “gjendjes së paqëndrueshme shëndetësore”.