Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se i ka drejtuar kërkesë kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, për zhvillimin e një takimi lidhur me përgatitjen dhe koordinimin e seancës së radhës.
Tahiri ka thënë se, në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit, seanca e radhës duhet të mbahet nesër.
“Sot i kam drejtuar një kërkesë kryesuesit të seancës konstituive, z. Avni Dehari, për zhvillimin e një takimi lidhur me përgatitjen dhe koordinimin e seancës së radhës, e cila, në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit, duhet të mbahet nesër”, ka njoftuar Tahiri.
Ai ka propozuar që takimi me Deharin të mbahet deri në orën 13:30, në ambientet e Kuvendit.
“Në frymën e përgjegjësisë institucionale dhe të respektimit të procedurave parlamentare, kam propozuar që takimi të zhvillohet deri në orën 13:30, në ambientet e Kuvendit”, ka shkruar ai.
Tahiri ka bërë të ditur se pret konfirmimin për kohën dhe vendin e takimit, ndërsa pas takimit ka paralajmëruar prononcim për media në hollin e Kuvendit.