Një grua 29-vjeçare dhe djali i saj 9-vjeçar janë vrarë nga një sulm me dronë rusë në rajonin kufitar Sumy të Ukrainës, ndërsa katër persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Kreu i administratës ushtarake lokale, Oleh Khryhorov, tha se dy dronë goditën një shtëpi private, duke shkaktuar zjarr dhe shkatërrimin e saj. Nëna dhe djali humbën jetën, ndërsa në mesin e të plagosurve janë babai dhe gjyshja e fëmijës.
Sipas autoriteteve ukrainase, të plagosurit janë dërguar në spital, disa prej tyre me djegie të rënda.
Sulme me dronë janë raportuar edhe në pjesë të tjera të Ukrainës. Në qytetin Smila, në pjesën qendrore të vendit, pesë persona u plagosën nga një sulm rus, bëri të ditur zyra e prokurorit rajonal të Cherkasy. Autoritetet ukrainase e përshkruan atë si një sulm të gjerë ndaj infrastrukturës civile.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje për rritjen e presionit ndaj kompanive që vazhdojnë të mundësojnë furnizimin e Rusisë me komponentë nga jashtë.
Sipas Zelenskyt, Rusia po përdor rreth 220 bomba ajrore në ditë kundër zonave pranë vijës së frontit dhe vazhdon prodhimin dhe përshtatjen e tyre pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare.
Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi në Telegram një mesazh kërcënues ndaj Ukrainës lidhur me dimrin e ardhshëm.
“Do të ngrini këtë dimër”, thuhej në postimin e publikuar krahas një fotografie të dronëve në fluturim.
Ushtria ukrainase reagoi duke publikuar një fotografi të një reje tymi mbi një objekt të industrisë së naftës në Rusi, të shoqëruar me mesazhin: “Do të ngrohemi në zjarrin e rafinerive ruse”.
Gjatë dimrit të kaluar, Rusia ndërmori sulme të përsëritura ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike, ujit dhe ngrohjes për miliona qytetarë në periudha kur temperaturat ranë nën zero.
Woman and a 9-year-old child were killed, and 4 others were injured, in a russian strike on Sumy region‼️ pic.twitter.com/Ct8mNnqY9V
— Kate from Kharkiv (@BohuslavskaKate) August 14, 2026