Disa persona kanë mbetur të plagosur pas të shtënave me armë zjarri të shtunën në kampusin e Universitetit Shtetëror të Virxhinias (VSU), në Shtetet e Bashkuara. Autoritetet njoftuan se disa të dyshuar janë ende në arrati.
Pas incidentit, kampusi universitar, i cili ndodhet rreth 32 kilometra në jug të Richmondit, u vendos nën masa të rrepta sigurie.
Policia e universitetit bëri të ditur se të shtënat ndodhën në zonën e njohur si “Quad Annexes” dhe se disa persona të plagosur u dërguan për trajtim në spitalet e zonës.
“Policia është në vendngjarje dhe ju kërkon që të shmangni zonën”, thuhet në njoftimin e autoriteteve universitare.
VSU njoftoi se në incident dyshohet se ishin përfshirë disa persona, ndërsa sipas informacioneve të deritanishme, të plagosurit nuk kanë lëndime që rrezikojnë jetën.
Televizioni lokal WTVR raportoi, duke iu referuar autoriteteve, se pesë persona janë plagosur. Sipas Policisë së Chesterfieldit, forcat e rendit u thirrën në zonën e konvikteve të universitetit rreth orës 01:30, raporton Dukagjini.
Autoritetet po vazhdojnë kërkimet për të dyshuarit dhe hetimet për të sqaruar rrethanat dhe motivin e të shtënave.
Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të përballen me një numër të lartë incidentesh me armë zjarri, përfshirë të shtëna në shkolla dhe universitete. Rastet e tilla kanë rikthyer vazhdimisht debatin për forcimin e kontrollit të armëve në nivel federal.