Administrata e Kuvendit të Kosovës ka reaguar lidhur me përdorimin e Sallës së Seancave Plenare, pasi Partia Demokratike e Kosovës ka iniciuar vazhdimin e seancës konstituive, duke sqaruar se për 16 gusht nuk kishte pranuar njoftim zyrtar për organizimin dhe mbajtjen e një seance.
PDK-ja ka iniciuar të dielën për herë të tretë vazhdimin e seancës, duke u thirrur në afatin prej 48 orësh të paraparë me Rregulloren e Kuvendit. Pas kësaj, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për refuzimin e thirrjes dhe zhvillimit të seancës dhe për vazhdimin e bllokadës institucionale.
Tahiri deklaroi se situata, sipas tij, nuk është më vetëm krizë politike, por çështje që lidhet me mbrojtjen e rendit kushtetues dhe funksionimin e institucioneve.
“Sot nuk po flasim vetëm për një krizë politike. Sot po flasim për Republikën, për Kushtetutën dhe për Kuvendin – për institucione që nuk i përkasin asnjë individi dhe asnjë partie politike”, deklaroi Tahiri.
Ndërkohë, Administrata e Kuvendit ka dalë me një sqarim lidhur me përdorimin e Sallës së Seancave Plenare, duke theksuar se organizimi dhe përdorimi i saj bëhet në përputhje me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe procedurat institucionale.
“Për datën 16 gusht 2026, Administratës së Kuvendit nuk i është komunikuar njoftim zyrtar për organizimin dhe mbajtjen e një seance. Për rrjedhojë, nuk janë ndërmarrë veprimet përkatëse administrative, teknike dhe logjistike për organizimin e një seance të tillë”, thuhet në sqarim.
Administrata ka theksuar se mungesa e njoftimit zyrtar nuk duhet të interpretohet si vendim politik apo si pozicionim i saj ndaj iniciativave të deputetëve dhe grupeve parlamentare.
“Mungesa e këtij njoftimi nuk përbën vendim politik dhe nuk paraqet qëndrim të Administratës së Kuvendit lidhur me qëndrimet apo iniciativat e deputetëve dhe grupeve parlamentare”, thuhet më tej.
Sipas sqarimit, Administrata ushtron kompetencat në mënyrë të pavarur dhe të paanshme dhe ofron mbështetje të barabartë për të gjithë deputetët.
Administrata ka bërë të ditur se, sapo t’i komunikohet zyrtarisht mbajtja e një seance, do të ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe do të sigurojë mbështetjen administrative, teknike dhe logjistike.
Reagimi vjen në kohën kur vazhdon ngërçi rreth funksionimit të Kuvendit, ndërsa PDK-ja po kërkon vazhdimin e seancës konstituive. Tahiri ka deklaruar se partia e tij do të vazhdojë të kërkojë funksionimin kushtetues të Kuvendit, duke theksuar se “askush nuk është mbi Kushtetutën dhe Republikën”.