Trump thotë se SHBA-ja do të reduktojë ndjeshëm stërvitjet ushtarake me Korenë e Jugut

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të “reduktojnë ndjeshëm” stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut, duke e lidhur këtë vendim me marrëdhëniet e tij me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Trump tha në një postim në rrjetin social Truth Social se stërvitjet ushtarake janë të kushtueshme dhe se një pjesë e madhe e kostove mbulohet nga SHBA-ja. Sipas tij, ato gjithashtu dërgojnë një “sinjal të papërshtatshëm dhe armiqësor”.

“Stërvitjet nuk janë vetëm të kushtueshme, me pjesën më të madhe të këtyre kostove të paguara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por gjithashtu dërgojnë një sinjal që është krejtësisht i papërshtatshëm dhe armiqësor”, shkroi Trump.

Ai përmendi edhe refuzimin e Koresë së Jugut për t’iu bashkuar SHBA-së në përpjekjet për “denuklearizimin” e Iranit.

“Meqë ra fjala, së fundmi e pyeta presidentin e Koresë së Jugut nëse do të dëshironin të bashkoheshin me ne në denuklearizimin e Republikës Islamike të Iranit, dhe ata thanë: ‘Jo, faleminderit!’”, shkroi Trump.

Megjithatë, Koreja e Jugut ka bërë të ditur se stërvitjet e përbashkëta ushtarake me SHBA-në do të zhvillohen sipas planit.

Trump tha se ishte tashmë “tepër vonë për t’i anuluar” stërvitjet, pasi ato nisnin të hënën dhe ishin planifikuar prej kohësh.

Deklarata e presidentit amerikan erdhi më pak se 24 orë pasi ai publikoi një fotografi të vjetër me Kim Jong Un, të realizuar në vitin 2019, duke i cilësuar ata si “miq të mëdhenj”, pavarësisht se në fotografi, sipas tij, kishin një “pamje jo miqësore”.

Ekspertët kanë paralajmëruar se reduktimi i stërvitjeve mund të ketë pasoja të mëdha për aleancën SHBA–Kore e Jugut, ndërsa përfitimet diplomatike ndaj Koresë së Veriut mund të jenë të kufizuara.

Leif-Eric Easley, profesor në Universitetin Ewha në Seul, tha se stërvitjet e përbashkëta janë thelbësore që forcat e të dyja vendeve të jenë të përgatitura dhe të afta për të reaguar në rast konflikti.

Sipas tij, reduktimi i tyre mund të dëmtojë koordinimin mes ushtrive, të ngadalësojë procesin që Koreja e Jugut të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj dhe të dobësojë parandalimin ndaj konflikteve të mundshme në Azi.

SHBA-ja dhe Koreja e Jugut javën e kaluar njoftuan zyrtarisht për stërvitjen vjetore “Ulchi Freedom Shield”. Aktiviteti do të zgjasë 11 ditë dhe do të jetë i ngjashëm në përmasa me stërvitjet e viteve të mëparshme, me pjesëmarrjen e rreth 18 mijë ushtarëve koreano-jugorë.

Gjatë konferencës për media, zyrtarët ushtarakë amerikanë dhe koreano-jugorë përmendën gjithashtu dislokimin e trupave të Koresë së Veriut në Rusi për të mbështetur luftën kundër Ukrainës. Ushtria amerikane tha se përgatitjet dhe stërvitjet marrin parasysh edhe këtë kërcënim.

Rreth 28 mijë e 500 trupa amerikane janë të dislokuara aktualisht në Korenë e Jugut.

Koreja e Veriut ka kundërshtuar vazhdimisht stërvitjet ushtarake SHBA–Kore e Jugut. Ministria e Jashtme e vendit i cilësoi ato të premten si “provë për një luftë agresive”.

Stërvitjet e reja zhvillohen vetëm disa ditë pasi SHBA-ja, Koreja e Jugut dhe Japonia zbuluan një tjetër testim raketor nga Koreja e Veriut.

Pyongyangu ka përshpejtuar zhvillimin e programeve të tij bërthamore dhe raketore që nga dështimi i diplomacisë së nivelit të lartë mes Kim Jong Unit dhe Trumpit në vitin 2019.

Trump u bë presidenti i parë në detyrë i SHBA-së që shkeli në territorin e Koresë së Veriut, gjatë takimit me Kim Jong Un në vitin 2019.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Kontingjenti i dytë i FSK-së i bashkohet misionit paqeruajtës në...

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), misioni shumëkombësh paqeruajtës me mandat ndërkombëtar për stabilizimin e Gazës, ka mirëpritur sot(e diele) më 12 korrik kontingjentin e dytë...

Të fundit nga rubrika