Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Aleancës janë mbledhur të martën në sallën e seancave të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive dhe konstituimin e Kuvendit.
PDK-ja të hënën i ka dërguar kërkesë kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, për thirrjen e vazhdimit të seancës në ora 11:00.
Në kërkesën e saj, PDK-ja ka theksuar se Dehari, si kryesues i seancës, ka rol procedural për të mundësuar vazhdimin e punimeve dhe konstituimin e Kuvendit, ndërsa nuk i takon atij të vendosë politikisht nëse dhe kur duhet të vazhdojë seanca.
“Roli i tij është procedural, i përkohshëm dhe i kufizuar nga Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit”, thuhet në kërkesën e PDK-së.
Dehari, ndërkaq, ka kërkuar më herët dialog dhe marrëveshje mes partive politike.
Ai ka paralajmëruar se vazhdimi i seancës konstituive pa një marrëveshje paraprake mund ta tensionojë edhe më shumë situatën dhe të çojë deri në konflikt fizik në Kuvend.
Më herët gjatë ditës, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, zhvilloi një takim konsultativ me kreun e LVV-së dhe përfaqësues të komuniteteve pa partitë ish-opozitare, për gjetjen një zgjidhjeje për zgjedhjen e presidentit të ri dhe shmangia e zgjedhjeve të parakohshme.
Pas takimit, Haxhiu tha se partitë duhet të kontribuojnë maksimalisht për arritjen e një marrëveshjeje për presidentin, duke theksuar se zgjedhjet e reja nuk garantojnë se subjektet politike do të arrijnë marrëveshje pas tyre.
PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca nuk morën pjesë në takimin e thirrur nga Haxhiu.
Në anën tjetër, kryetari i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas takimit nuk dha deklaratë për media. I pyetur nga gazetarët se pse nuk po e thërret seancën konstituive, Kurti u përgjigj shkurt: “Unë nuk thërras seancë”.