Nënkryetari i Aleancës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se subjekti i tij është i gatshëm t’i japë shtatë votat për zgjedhjen e presidentit, por në këmbim kërkon miratimin e gjashtë pikave të propozuara nga Aleanca.
Tahiri tha se këto pika deri tani nuk janë diskutuar dhe se Aleanca ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje zyrtare për kërkesat e saj.
“Ne do t’i ofrojmë shtatë votat tona në shkëmbim jo të pjesëmarrjes në qeveri e as të ndonjë pozicioni tjetër, veçse të miratimit të 6 pikave”, tha Tahiri.
Ai kritikoi edhe moskonstituimin e Kuvendit, duke thënë se konstituimi i tij nuk duhet të kushtëzohet me çështje të tjera politike.
Sipas Tahirit, i vetmi kusht për konstituimin e Kuvendit është verifikimi i mandateve të deputetëve, proces që tashmë është kryer.
“Konstituimi i Parlamentit të Republikës së Kosovës nuk lidhet me asgjë. E ka vetëm një kusht dhe ai kusht është neve që jemi zgjedhur deputetë, jemi certifikuar prej KQZ-së me na verifikuar mandatet. Kjo ka ndodhur”, deklaroi ai.
Tahiri akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po e pengon konstituimin e Kuvendit dhe tha se Aleanca nuk do të tërhiqet nga kërkesat e saj.