Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se LDK-ja do të jetë pjesë e përfaqësimit institucional dhe faktor në përpjekjet për zgjidhjen e krizës kushtetuese dhe krijimin e institucioneve të reja.
Pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Abdixhiku tha se një pjesë e rëndësishme e diskutimeve është përqendruar te kriteret dhe profili i presidentit apo presidentes së ardhshme të Kosovës.
Sipas tij, palët janë pajtuar në parim për profilin që duhet të ketë kreu i ardhshëm i shtetit.
Abdixhiku theksoi se LDK-ja nuk dëshiron një president partiak, por një figurë të respektuar, e cila do të përfaqësonte unitetin politik dhe do ta ushtronte me dinjitet funksionin e presidentit.
“U pajtuam në parim për këtë profil, se si duhet të duket presidenti ose presidentja e ardhshme. Një president që e do Republikën, e mbron Republikën, ushtron demokracinë në mënyrë të mjaftueshme dhe një figurë që ushtron unitetin politik ashtu siç e kërkon edhe Kushtetuta e Kosovës”, tha Abdixhiku.
Ai shtoi se kandidati i ardhshëm duhet të jetë në përputhje me orientimin pro-perëndimor dhe vlerat që, sipas tij, duhet t’i përfaqësojë presidenti i Kosovës.
“Pra, nuk duam një president partiak, por një figurë e cila është e respektuar dhe ushtron me dinjitet funksionin më të lartë shtetëror”, u shpreh ai.
Abdixhiku tha se Kosova ka figura që mund ta përmbushin një profil të tillë, por se para propozimit të emrave konkretë do të zhvillohen konsultime të brendshme brenda subjekteve politike dhe me shoqërinë.
“Jam i bindur se Kosova ka figura të tilla, por që nga fjalët që është një temë gjithashtu shumë sensibile dhe kërkuam një periudhë diskutuese të brendshme brenda subjekteve tona dhe konsultative edhe me shoqërinë në secilën mënyrë të vet, para se të vijmë me emra konkretë në takimet e ardhshme”, tha Abdixhiku.
Ai theksoi se çështja e presidentit mbetet e hapur, ndërsa LDK-ja, sipas tij, nuk po kërkon poste apo përfitime politike në këmbim të zgjidhjes së krizës institucionale.
“LDK-ja nuk kërkon asgjë mbrapa, domethënë vetëm stabilitet institucional, në mënyrë që Kosova të ketë një lloj qetësie të kërkuar e të mundshme”, deklaroi Abdixhiku.