Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, S.D., B.D. dhe A.F., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Kontrabandimi me migrantë”.
Sipas Prokurorisë, S.D. akuzohet për veprën penale “Kontrabandimi me migrantë”, nga neni 164, paragrafi 5 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa B.D. dhe A.F. akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer të njëjtën vepër penale, nga neni 164, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës, më 23 shtator 2025, në afërsi të pikës kufitare të Vërmicës, konkretisht te ura e fshatit Shkozë, S.D. kishte organizuar dhe drejtuar veprimet për kontrabandimin e 10 migrantëve, të gjithë shtetas të Egjiptit, të cilët kishin kaluar ilegalisht kufirin Kosovë–Shqipëri.
S.D. dyshohet se kishte marrë me qira një automjet dhe ua kishte dorëzuar atë B.D. dhe A.F., me qëllim transportimin e migrantëve nga zona e Vërmicës drejt pikës kufitare Kosovë–Serbi.
Sipas aktakuzës, S.D. kishte komunikuar me B.D. dhe e kishte udhëzuar lidhur me vendin dhe kohën ku duhej të prisnin migrantët.
Rreth orës 01:50, B.D. dhe A.F. kishin ndaluar automjetin në shiritin emergjent të autostradës, në afërsi të urës së fshatit Shkozë, ku kishin pritur migrantët. Në momentin e afrimit të zyrtarëve policorë, pranë automjetit ishin vërejtur 10 persona të shtrirë në tokë, të cilët dyshohet se kishin kaluar ilegalisht kufirin dhe po prisnin të transportoheshin më tej.
Sipas Prokurorisë, migrantët kishin paguar gjithsej 25 mijë euro për rrugëtimin nga vendi i origjinës deri në Serbi.
Veprimet e dyshuara ishin ndërprerë nga zyrtarët policorë. Me këtë rast, B.D. dhe A.F. ishin ndaluar, ndërsa S.D. ishte larguar nga vendi i ngjarjes pasi kishte vërejtur ndërhyrjen e policisë.
Prokurori i rastit, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit.