Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka njoftuar se një punëtor i saj ka humbur jetën sot në vendin e punës, pas një aksidenti gjatë kryerjes së detyrave.
Sipas KEK-ut, punëtori Arbenit Ahmeti ishte duke u angazhuar në transportimin dhe zhvendosjen e kabllove 6 kV, kur ra në kontakt me tensionin elektrik dhe pësoi lëndime të rënda.
Pas aksidentit, ai është dërguar për trajtim mjekësor në Ambulancën e Obiliqit. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
“Me dhimbje të thellë njoftojmë se sot, gjatë kryerjes së detyrave të punës, punonjësi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arbenit Ahmeti, ka pësuar një aksident të rëndë. Sipas informatave fillestare, gjatë angazhimit në transportin dhe zhvendosjen e kabllove 6 kV, ai ka rënë në kontakt me tensionin elektrik dhe ka pësuar lëndime të rënda. Menjëherë pas ngjarjes janë ndërmarrë veprimet emergjente dhe punonjësi është dërguar për trajtim mjekësor në Ambulancën e Obiliqit. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, fatkeqësisht ai nuk ka arritur t’u mbijetojë lëndimeve të marra”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Organet kompetente janë duke trajtuar rastin dhe rrethanat e aksidentit do të sqarohen në përputhje me procedurat përkatëse.
KEK-u ka shprehur ngushëllime për familjen, kolegët dhe të afërmit e punëtorit.