Një nga figurat më të fuqishme në Iran ka thënë se fushata amerikane e presionit maksimal ekonomik do të dështojë – një tjetër shenjë se udhëheqja iraniane e vijës së ashpër nuk është e gatshme të bëjë kompromis, pavarësisht krizës ekonomike që po thellohet, raporton CNN.
“Bota e ka kuptuar se (presidenti i SHBA-së, Donald) Trump po bën bujë dhe se kjo nuk është asgjë më shumë se fjalë boshe”, tha sekretari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare, Mohsen Rezaei, në një intervistë dje.
Komentet e Rezaeit janë një tjetër tregues i kontrollit që ushtrojnë forcat e vijës së ashpër në Teheran dhe i gatishmërisë së tyre në rritje për të adoptuar një qëndrim më ofensiv.
“Do të shohim ndryshime në mënyrën e zhvillimit të luftës, në diplomaci dhe në çështjet politike e sociale, dhe do të vihen në përdorim aftësi të reja”, shtoi ai.
Rezaei, i cili është këshilltar i liderit suprem të Iranit, Mojtaba Khameneit, tha se Irani nuk do t’i nënshtrohet presionit amerikan, duke shtuar se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur derisa Washingtoni t’i përmbushë angazhimet e tij.
Të dhënat e transportit detar sugjerojnë se më shumë naftë bruto po largohet nga Gjiri përmes një rruge jugore pranë brigjeve të Omanit, gjë që përbën një kërcënim për ndikimin që Irani ka ushtruar gjatë muajve të fundit.
Rezaei ishte një komandant i lartë gjatë luftës me Irakun në vitet 1980 – një moment themelor në krijimin e Republikës Islamike. Ai u emërua si shefi i ri i sigurisë këtë muaj, në atë që u pa si një kalim drejt një qasjeje më agresive krahasuar me atë nën liderin e ndjerë suprem.
Në komentet e tij, më të rëndësishmet që nga marrja e detyrës së re, Rezaei pretendoi gjithashtu se sulmi i SHBA-së ndaj Iranit i ka nxitur vendet të kërkojnë mbrojtje përmes sigurimit të armëve bërthamore.
“Budallallëku i Trumpit në sulmin ndaj Iranit ka rritur dëshirën e njerëzve në mbarë botën për të siguruar armë bërthamore, veçanërisht pasi panë se anëtarësimi në [Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike] dhe [Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore] nuk bëri asgjë për të parandaluar një sulm amerikan”.