Komuna e Prishtinës ka bërë apel urgjent për qytetarët, pas zjarreve që kanë përfshirë malet përreth kryeqytetit.
Përmes një postimi në Facebook, Komuna ka kërkuar nga qytetarët të mos ndezin zjarre në natyrë, të mos djegin barishte, hamullishta apo mbeturina dhe të mos hedhin cigare të ndezura.
“Një pakujdesi e vetme mund të shkaktojë një katastrofë të madhe”, thuhet në apelin e Komunës.
Qytetarët që vërejnë tym apo zjarr janë udhëzuar të largohen nga zona e rrezikut dhe të kontaktojnë menjëherë Zjarrfikësit e Kryeqytetit në numrin 193.
Komuna ka shprehur mirënjohje për zjarrfikësit dhe ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, të cilët po përballen me zjarret dhe po punojnë për mbrojtjen e qytetarëve, pronave dhe natyrës.