Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, me inicialet R.H. dhe Q.H., nën dyshimin se në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas aktakuzës, gjatë periudhës nga 22 tetori 2025 deri më 9 janar 2026, në rrugën “Rifat Dedia”, në lagjen Kolloni të Mitrovicës, të pandehurit dyshohet se në mënyrë të paautorizuar u kanë shitur personave të ndryshëm substancë narkotike të llojit kokainë, me peshë nga 0.22 deri në 0.50 gramë.
Gjatë zbatimit të urdhrit për kontroll, te të pandehurit janë gjetur dhe sekuestruar katër qese me substancë narkotike, me peshë të përgjithshme 1.7 gramë.
Po ashtu, gjatë kontrollit janë sekuestruar një mulli për bluarjen e substancës narkotike, dy telefona mobilë dhe 1,700 euro para të gatshme.
Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokuroria i ka propozuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë që të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprën penale që u vihet në barrë dhe t’u shqiptojë dënim në përputhje me ligjin.