Dokumenti “Leptiri” për komprometimin e Kurtit, u nxor qëllimisht nga BIA përmes Fatmir Shehollit

Prokuroria Speciale e Kosovës, këtë të martë, ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për dy vepra penale, “Spiunazh” dhe “Shantazh”.

Në kuadër të provave të përfshira në aktakuzë, të cilat Dukagjini i ka siguruar, përmendet edhe një dokument i emëruar si “Leptiri”, i cili është gjetur në telefonin e Shehollit, njofton Dukagjini.

Sipas përmbajtjes së aktakuzës, dokumenti “Leptiri”, i cili kishte qarkulluar në publik si një dokument që lidhej me komprometimin e kryeministrit Albin Kurti, dyshohet se ishte nxjerrë dhe shpërndarë qëllimisht përmes Fatmir Shehollit. Prokuroria e lidh këtë dokument me struktura të shërbimeve të sigurisë serbe dhe me veprimet për të cilat Sheholli është akuzuar.

Dokumenti “Leptiri”, sipas aktakuzës së siguruar nga Dukagjini, rezulton të jetë përpiluar nga strukturat e Sigurimit Shtetëror të Serbisë (RDB) në vitin 2001 dhe përshkruan një plan operativ që, sipas përmbajtjes së tij, kishte për qëllim komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit gjatë kohës kur ai vuante dënimin në burgjet e Serbisë.

Po ashtu, në dokument përmendet përdorimi i një burimi operativ me nofkën “Leptiri”, për sigurimin e materialeve komprometuese me qëllim ushtrimin e presionit ndaj tij për bashkëpunim me RDB-në.

Tutje, në aktakuzë thuhet se nga analiza e komunikimeve të nxjerra nga telefoni i Shehollit rezulton se ai e ka përcjellë këtë dokument te persona të ndryshëm, si dhe ka kërkuar përkthimin e tij nga gjuha serbe në gjuhën shqipe.

Siç thuhet në aktakuzë, këto veprime, së bashku me komunikime dhe materiale të tjera të gjetura në telefonin e të pandehurit, janë vlerësuar si relevante për të dëshmuar kontaktet, lidhjet dhe bashkëpunimin e tij me persona dhe struktura të ndërlidhura me shërbimet e sigurisë serbe, si dhe rolin e tij në përcjelljen dhe shpërndarjen e materialeve me origjinë nga këto struktura.

Po ashtu, në aktakuzë përmendet edhe dëshmia e vetë Shehollit lidhur me mënyrën se si dokumenti “Leptiri” kishte arritur në telefonin e tij.

I pyetur nga prokurori se nga ishte përftuar dokumenti, Sheholli deklarohet se atë ia kishte dërguar Bojan Dimiq në telefonin e tij.

Ndërsa, i pyetur se kujt ia kishte shpërndarë dokumentin, sipas dëshmisë së përfshirë në aktakuzë, Sheholli ka deklaruar se ia kishte dërguar Milazim Gashit, një miku të tij që ishte në SHISH të Shqipërisë, si dhe Blerim Canajt dhe një personi tjetër të quajtur Bashkim Pushkolli.

Në aktakuzë përmendet gjithashtu një komunikim në rrjetin social Facebook mes Fatmir Shehollit dhe Blerim Canajt. Sipas dokumentit, më 26 mars 2024, Sheholli i kishte dërguar Canajt dy fotografi të dokumenteve të RDB-së që ndërlidheshin me misionin “Leptiri”.

Aktakuza ndaj Fatmir Shehollit: Zbatoi planin e përgatitur nga zyrtari i BIA-s me synim dëmtimin e interesave të Kosovës

Të fundit nga rubrika