Qeveria në detyrë e Kosovës ka mbajtur të mërkurën mbledhjen e 33-të, përmes procedurës elektronike, ku ka miratuar disa vendime dhe kërkesa për transferim të mjeteve financiare.
Në këtë mbledhje, Qeveria ka miratuar transferimin e 4.33 milionë eurove për Shërbimin Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), të destinuara për furnizim me barna nga Lista e Barnave Esenciale.
Po ashtu, është miratuar kërkesa e Ministrisë së Punëve të Brendshme për transferimin e 1 milion eurove, për mbulimin e obligimeve që lidhen me shpenzimet operative.
Ndërkaq, Komunës së Podujevës i janë transferuar 300 mijë euro, për mbulimin e obligimeve kontraktuale.
Në total, këto tri transfere kapin shumën prej 5 milionë e 633 mijë e 900 eurosh.
Qeveria ka miratuar gjithashtu vendimin për caktimin e kompensimit mujor për anëtarët e Bordit të drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Korporata e Ruajtjes së Energjisë – KRE (Energy Storage Corporation – ESCorp)”.
Në mbledhje është miratuar edhe dhënia në shfrytëzim e një parcele kadastrale prej 999 metrash katrorë, në pronësi të Agjencisë Pyjore të Kosovës – Ndërmarrja e Pyjeve në Prizren, për nevoja të Ministrisë së Drejtësisë.
Po ashtu, Qeveria në detyrë ka nominuar tre përfaqësues të saj në Këshillin Konsultativ për Komunitete.