Bilanci i viktimave nga përmbytjet masive dhe rrëshqitjet e dheut në Nepal ka kaluar mbi 150 persona, ndërsa qindra turistë vazhdojnë të raportohen të zhdukur.
Sipas bordit turistik të Nepalit, në mesin e personave të zhdukur janë më shumë se 100 shtetas të Indisë, 54 të Shteteve të Bashkuara dhe 33 të Mbretërisë së Bashkuar. Të zhdukur raportohet të jenë edhe më shumë se 100 shtetas nepalezë.
Zona e prekur është e njohur për pelegrinët dhe turistët që merren me ecje malore. Mes të zhdukurve janë edhe dhjetëra pjesëtarë të policisë dhe ushtrisë së Nepalit, si dhe punëtorë të sektorit të energjisë.
Një grua ka rrëfyer se familjarët e saj u morën nga vërshimi para syve të saj. Ajo dhe djali i saj arritën të shpëtonin duke u ngjitur në çatinë e një ndërtese.
Ndërkohë, edhe në Tibet janë raportuar viktima dhe persona të zhdukur. Mediat shtetërore kineze bëjnë të ditur se tre persona kanë vdekur dhe 265 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Pamjet nga Tibeti tregojnë një masë të madhe uji dhe balte që godet ndërtesat në një pikë kufitare.
Fillimisht, autoritetet dyshuan se një tërmet mund të kishte shkaktuar rrëshqitjen masive të dheut. Megjithatë, Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara ka sqaruar se energjia sizmike ishte shkaktuar nga vetë rrëshqitja e dheut.