Lushaku-Sadriu: Katër ditë para fillimit të mësimit, 200 mijë nxënës nuk e dinë kur do t’i kenë librat

Jehona Lushaku-Sadriu, LDK

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për vonesat në sigurimin e teksteve shkollore, duke thënë se edhe këtë vit shkollor procesi po shoqërohet me “rrëmujë, vonesa dhe ankth të prindërve”.

Përmes një postimi në Facebook, Lushaku-Sadriu ka deklaruar se rreth 200 mijë nxënës të klasave 1–9, vetëm katër ditë para fillimit të mësimit, ende nuk e dinë se kur do t’i kenë tekstet shkollore.

“Rreth 200 mijë nxënës të klasave 1–9, vetëm katër ditë para fillimit të mësimit, ende nuk e dinë kur do t’i kenë tekstet shkollore. Prindërit presin subvencionet, libraritë presin prindërit, ndërsa fëmijët rrezikojnë të ulen përsëri në bankat shkollore pa libra”, ka shkruar ajo.

Ajo ka kritikuar gjithashtu Ministrinë e Arsimit për faktin se, sipas saj, më 27 gusht ende nuk është përcaktuar shuma e subvencionimit për librat.

“Data e fillimit të vitit shkollor dihej botërisht. Ministria ka pasur muaj të tërë për t’u përgatitur, jo ta lë organizimin, kur zilja e parë është gati të bjerë”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu.

Sipas saj, një qasje e tillë është “poshtëruese ndaj nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve” dhe tregon, siç ka thënë ajo, paaftësinë e Ministrisë për të organizuar me kohë edhe proceset më elementare.

“Tash e pesë vite e njëjta skenë: vendime në minutën e fundit, prindër që vrapojnë pas librave, vonesa në furnizim dhe nxënës që e fillojnë shkollën pa kushtet më bazike për mësim”, ka shkruar deputetja e LDK-së.

Në fund, Lushaku-Sadriu ka kritikuar edhe Qeverinë në detyrë, duke thënë se pasojat e kësaj situate po i bartin fëmijët dhe familjet e tyre.

“Fëmijët dhe familjet tona po e paguajnë çmimin e paaftësisë së një të ashtuquajture Qeveri në detyrë, që veç në detyrë nuk është!”, ka përfunduar ajo.

Shija e redaktorit

Tasholli: Prej 16 shtatorit, Kosova nuk do të jetë më...

Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur pas konferencës së mbajtur...

Thaçi rrëfen prapaskenat e Rambujesë: Nuk isha i sigurt nëse...

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka rrëfyer në një intervistë të gjerë dhe ekskluzive në Debat Plus disa prej...

“Të jetoj i lirë” – Intervista e fundit e Thaçit...

Presidenti, Hashim Thaçi, do të jetë protagonist i një interviste ekskluzive në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit, e cila do të transmetohet nesër,...

Të fundit nga rubrika