PDK dhe Aleanca kërkojnë funksionalizimin e institucioneve: Bllokada po prek edhe komunat

Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe përfaqësues të Aleancës kanë kërkuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që të kthehet në Kuvend dhe të mundësojë vazhdimin e procesit të konstituimit të institucioneve.

Këto deklarata u bënë gjatë protestës së Grupit Parlamentar të PDK-së para ndërtesës së Qeverisë, së cilës iu bashkuan edhe asamblistë dhe aktivistë nga Ferizaj dhe Hani i Elezit.

Protestuesit thanë se mosfunksionalizimi i institucioneve qendrore po shkakton pasoja edhe në nivelin lokal, duke kërkuar që të sqarohet edhe situata juridike në raportet ndërmjet institucioneve qendrore dhe komunave.

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, duke iu referuar një aktgjykimi të Gjykatës Supreme, tha se Kurti duhet të zgjedhë mes mandatit të deputetit dhe funksionit në Qeveri.

Reçica i bëri thirrje Kurtit që të kthehet në Kuvend dhe të mundësojë vazhdimin e procesit të konstituimit të institucioneve.

“Prandaj i bëj ftesë deputetit Albin Kurti, gjegjësisht vandalit politik, që t’i ndalë këto vandalizma. Të kthehet në parlament. Nëse i ka 61 vota ta zgjedhë qeverinë, për t’ia votuar kryetarin dhe nënkryetarin e Kuvendit do t’ia votojmë ne, ja bëjmë votat edhe ne edhe Aleanca”, tha Reçica.

Ai akuzoi Kurtin se me veprimet e tij po krijon krizë institucionale dhe paralajmëroi se zvarritja e procesit mund të ketë pasoja për vendin.

Kryetari i Aleancës në Ferizaj, Alberton Sahiti, tha se mosfunksionimi i institucioneve qendrore po ndikon edhe në komunat e Kosovës.

Sipas tij, Ferizaj është ndër komunat që është përballur më së shumti me mungesë të projekteve dhe përkrahjes nga niveli qendror.

“Jemi në një prag jo të mirë, jemi në një gjendje të jashtëzakonshme edhe komunat edhe komplet Kosova”, tha Sahiti, duke kërkuar që të mos bllokohen institucionet qendrore dhe komunat.

Ndërkaq, shefi i Grupit të asamblistëve të PDK-së në Ferizaj, Arian Imeri, tha se protesta është zhvilluar edhe në emër të përfaqësuesve komunalë dhe pjesëtarëve të ekzekutivit lokal nga regjioni i Ferizajt.

Imeri theksoi se moskonstituimi i institucioneve qendrore nuk duhet të shihet vetëm si krizë politike në Prishtinë, pasi, sipas tij, pasojat prekin drejtpërdrejt komunat dhe qytetarët.

“Moskonstituimi i institucioneve qendrore nuk është një krizë politike e radhës në Prishtinë, por është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj çdo komune, ndaj çdo familjeje dhe ndaj çdo lagjeje në komunat nga vijmë”, tha Imeri.

Ai kërkoi zgjidhje sa më të shpejtë për formimin e institucioneve, si dhe sqarim nga organet e drejtësisë për situatën juridike dhe komunikimin ndërmjet institucioneve qendrore dhe atyre lokale.

Sipas Imerit, funksionimi i institucioneve është i domosdoshëm për të siguruar që vendimet e marra të jenë të ligjshme dhe të mos kontestohen në të ardhmen, pasi pasojat juridike dhe financiare, sipas tij, do t’i bartnin qytetarët.

Shija e redaktorit

Tasholli: Prej 16 shtatorit, Kosova nuk do të jetë më...

Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur pas konferencës së mbajtur...

Thaçi rrëfen prapaskenat e Rambujesë: Nuk isha i sigurt nëse...

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka rrëfyer në një intervistë të gjerë dhe ekskluzive në Debat Plus disa prej...

“Të jetoj i lirë” – Intervista e fundit e Thaçit...

Presidenti, Hashim Thaçi, do të jetë protagonist i një interviste ekskluzive në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit, e cila do të transmetohet nesër,...

Të fundit nga rubrika