Vdekja e ish-komandantit famëkeq të Ushtrisë së Republikës Srpska, Ratko Mlladiq, është përcjellë me tone të ndryshme nga mediat serbe, por një pjesë e konsiderueshme e raportimeve kanë nxjerrë në pah figurën e tij si “gjeneral” dhe figurë e rëndësishme e historisë serbe, duke lënë në plan të dytë faktin se ai u dënua nga Tribunali i Hagë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Nga televizioni publik serb RTS, deri te tabloidet si “Novosti”, “Alo” dhe “Informer”, raportimet pas vdekjes së Mladićit kanë pasqyruar një narrativë ku ai paraqitet kryesisht përmes rolit të tij ushtarak dhe si figurë e respektuar nga një pjesë e shoqërisë serbe.
RTS, në raportimet për vdekjen e tij, ka përmendur dënimin e përjetshëm të Mlladiqit nga Tribunali i Hagës dhe faktin se ai ishte shpallur fajtor për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocidin në Srebrenicë. Megjithatë, televizioni publik ka transmetuar edhe deklarata të figurave që e vënë në pikëpyetje trajtimin e tij mjekësor në Hagë.
Kjo narrativë është shoqëruar me pretendime se autoritetet në Hagë nuk kanë vepruar në mënyrë adekuate ndaj kërkesave të familjes dhe Beogradit që Mlladiq të transferohej në Serbi për trajtim.
Ndërkohë, tabloidet serbe kanë përdorur një gjuhë edhe më të theksuar në raportimin për ish-komandantin serb.
“Alo” dhe “Informer” kanë publikuar tituj dhe përmbajtje që e paraqesin Mlladiqin në mënyrë heroizuese, ndërsa kanë sulmuar kritikët e tij dhe ata që e cilësojnë si përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë.
Në disa prej këtyre raportimeve, fokusi është zhvendosur nga viktimat dhe vendimet e gjykatave ndërkombëtare te mënyra e trajtimit të Mlladiqit në Hagë, te reagimet e familjes së tij dhe te mënyra se si do të zhvillohet varrimi.


Një tjetër element i rëndësishëm i kësaj narrative është paraqitja e tij si figurë që “mbrojti” Republikën Srpska. RTS, duke raportuar nga një shërbesë përkujtimore në Banja Luka, përcolli deklarata sipas të cilave Mlladiq kishte qenë në krye të ushtrisë që, sipas mbështetësve të tij, “mbrojti Republikën Srpska”.
Varrim me nderime shtetërore e ushtarake

Përtej mënyrës së raportimit mediatik, vëmendje të madhe ka marrë edhe qëndrimi zyrtar i Beogradit për varrimin.
Ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiq, ka deklaruar se Ratko Mlladiq do të varroset me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake.
Vujiq ka thënë se Mlladiq ishte gjeneral dhe se për të do të respektohen protokollet përkatëse, ndërsa ka sqaruar se vendin e varrimit do ta përcaktojë familja.
Kearns: Ambiciet gjenocidale nuk vdiqën me Mlladiqin
Mënyra e raportimit në Serbi dhe paralajmërimi për një varrim me nderime të plota kanë nxitur reagime edhe jashtë rajonit.
Deputetja britanike Alicia Kearns ka kritikuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe qeverinë e Serbisë për qëndrimin e tyre ndaj gjenocidit në Srebrenicë.
Në një postim në rrjetin social X, Kearns ka shkruar se Vuçiqi dhe qeveria serbe e mohojnë gjenocidin në Srebrenicë, ndërsa tani, sipas saj, po përgatiten ta varrosin me nderime të plota personin që dha urdhrat për gjenocidin.
“Vuçiqi dhe qeveria serbe e mohojnë gjenocidin në Srebrenicë. Tani ata do ta varrosin njeriun që dha urdhrat, Ratko Mlladiqin, me nderime të plota. Kjo është një rrëfim”, ka shkruar Kearns.
“Mlladiqi ka vdekur, por miliona boshnjakë vazhdojnë të jetojnë. Çdo jetë e jetuar është një fitore kundër tij dhe ambicieve të tij gjenocidale”, ka shkruar deputetja britanike.
Në anën tjetër, edhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ka reaguar ndaj tentativave për relativizimin e krimeve, duke theksuar se Mlladiq është dënuar përfundimisht për gjenocid në Srebrenicë dhe për krime të tjera të rënda.
Ratko Mladiqi vdiq në moshën 84-vjeçare, ndërsa vuante dënimin me burgim të përjetshëm. Gjykatat ndërkombëtare e kanë shpallur përgjegjës për disa nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë.