
Analisti Ben Andoni ka ngritur shqetësimin për ndikimin që, sipas tij, strukturat dhe interesat sllave kanë në Shqipëri, duke e krahasuar situatën me kapacitetet e institucioneve të inteligjencës në Kosovë.
I ftuar në Euronews Albania, Andoni tha se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) është më e sofistikuar se shërbimi informativ shqiptar në evidentimin e lidhjeve dhe ndikimeve që lidhen me Serbinë.
Sipas tij, një analizë më e thelluar e situatës në Shqipëri do të nxirrte në pah ndikime sllave që ai i konsideron shqetësuese.
“AKI-ja po i jep mësim Shqipërisë, sepse më vjen keq ta them, në Shqipëri, po të penetrosh pak më thellë, shikon ndikime sllave gati të frikshme në vendin tonë”, deklaroi Andoni.
Analisti kritikoi edhe kapacitetet e strukturave shqiptare të inteligjencës për identifikimin e këtyre ndikimeve.
Ai tha se problemi, sipas tij, nuk është mungesa e vullnetit për t’i trajtuar këto çështje, por pamundësia për t’i evidentuar në mënyrë efektive.
“Më vjen keq që pjesa e shërbimit tonë nuk është apatike, por është jashtëzakonisht e prapambetur për ta parë, ndërsa AKI-ja, kini parasysh, është më e sofistikuar sesa shërbimi ynë informativ për sa i përket lidhjeve me Serbinë”, tha Andoni.


