Demokratët Evropianë kanë reaguar ashpër ndaj vendimit të Serbisë për varrosjen e Ratko Mlladiqit me nderimet më të larta shtetërore.
Sekretari i Përgjithshëm i Demokratëve Evropianë, Sandro Gozi, e ka cilësuar këtë vendim si një vijë që, sipas tij, asnjë shtet që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian nuk duhet ta kalojë.
Demokratët Evropianë theksojnë se dhënia e nderimeve shtetërore për një kriminel lufte të dënuar nuk përbën thjesht përkujtim, por glorifikim.
Në deklaratë theksohet se Serbia i përket Evropës, por e ardhmja e saj evropiane, sipas Demokratëve Evropianë, nuk mund të ndërtohet mbi rehabilitimin e kapitujve më të errët të së kaluarës.
“Vendimi i Serbisë për ta varrosur Ratko Mlladiqin me nderimet më të larta shtetërore kalon një vijë të kuqe që asnjë vend që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian nuk duhet ta kalojë kurrë. Mlladiqi, i cili vdiq dje, u dënua nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë edhe për gjenocidin në Srebrenicë. Nderimet shtetërore për një kriminel lufte të dënuar nuk janë përkujtim. Ato janë glorifikim. Duke i dhënë atij nderimet më të larta, autoritetet serbe, nën drejtimin e Presidentit Aleksandar Vuçiq, po promovojnë gjithashtu rishikimin e historisë në vend të llogaridhënies dhe pajtimit. Ato po e shndërrojnë glorifikimin e atyre që janë përgjegjës për gjenocid në politikë zyrtare shtetërore, duke e larguar Serbinë edhe më shumë nga vlerat evropiane. Serbia i përket Evropës. Por e ardhmja e saj evropiane nuk mund të ndërtohet mbi rehabilitimin e kapitujve më të errët të së kaluarës së saj. Ajo duhet të ndërtohet mbi të vërtetën, drejtësinë, vlerat demokratike dhe respektin për viktimat”, thuhet në deklaratën e Gozit.