Javë më parë ky lokacion qe veç një pistë dyshimi që mund të çonte tek e vërteta.
Fiks një muaj më vonë, pas gërmimeve dhe mbetjeve kockore e provave që u gjetën, varrezën masive në Kalludër të Zubin Potokut e vizituan familjarët e 23 anëtarëve të “Grupit të Intelektualve” nga Mitrovica.
Këta të fundit, dyshohet se u varrosën në këtë vend, skaj kësaj përrocke.
Bashkë me drejtorin e Krimeve të Luftës në kuadër të Policisë dhe Komisionin qeveritar për Persona të Zhdukur dhe përfaqësues nga qeveria, familjarët panë nga afër lokacionin ku u gërmua.
Lotët e patën të pamundur t’i ndalnin teksa i afroheshin vendit ku forcat serbe kryen krimin para 27 vjetësh.
Më të emocionuar qenë kur folën për pritjen gati tri dekadëshe.
“Mundem me thonë që ende jemi duke e procesu lajmin se kemi një periudhë shumë shumë e gjatë që kemi qenë në pritje, akoma takimi po duket abstrakt por mundem me thanë që njëkohësisht e kemi ripërjetu dhimbjen sepse edhe tash jemi në pritje të procedurave tjera”, u shpreh Flaka Fazliu, vajza e të zhdukurit, Fatmir Fazliu.
Dy vëllëzrit dhe tre djemtë e axhës i ka të zhdukur edhe Sadete Ujkani, e cila tregoi se si i njoftoi prindërit për gërmimet.
“Nuk i kemi tregu krejt, veç i kemi tregu që është gjetë një varrë masiv e qatu të kqyrim kush po zbulohet, se janë në moshën 92-vjeçare e nëna 90, gjithë shpresojnë se do të vijnë një ditë”.
Ndërkohë, mjeku ligjor Valon Hyseni, tregoi se mostrat e para janë dërguar jashtë vendit për analiza.
“Deri tash mund të ju konfirmoj që kemi dërguar të paktëm 10 mbetje kockore në laboratorin e ADN-së në Hagë”
Që ky vend po hetohej nga 2024-ta e tha Florim Elshani, shef i drejtorisë për krime lufte në Policinë e Kosovës.
“Më intensive kanë qenë prej vitit 2024 në lidhje me lokalizimin e këtij lokacioni derisa kemi arrit me datë 27 por deri atëherë ne nuk e kemi ditë saktë se me çka kemi”
Gjatë vizitës, mjeku ligjor ndau detaje rreth mënyrës se si i gjetën mbetjet e para.
Aty iu përgjigj edhe pyetjeve të familjarëve.
Ndërkohë në fund, familjarët bashkë me të pranishmit tjerë vendosën lule në vendin ku u gërmua.
Kushtrim Gara nga Komisioni qeveritar për Persona të Zhdukur tha se këtu do të vendoset edhe një pllakë.
Ndërkohë, mostrat e dërguara për analiza në laboratorin e ADN-së në Hagë mund të vonohen deri në tre muaj. Ndryshe nga rastet tjera, IML ka dërguar numër më të madh të mostrave për 10 mbetje kockore.